Pak më parë, kryetari i Partisë së Lirisë,Ilir Meta, zhvilloi një konferencë për shtyp duke theksuar se protestuesit u dhunuan pas protestës së 20 shkurtit në Tiranë, ndërsa e cilësoi Kuvendin si “noter të neveritshëm” që kalon çdo ligj, dhe specifikisht ate për “zonat e mbrojtura”.
“Agresioni dhe dhunimi i protestuesve nga banditët e Edi Ramës është një vepër e rëndë penale, por drejtësia në vend të ndëshkojë autorët e dhunës pritet të dënojë protestuesit e arrestuar.
I bëjmë thirrje drejtësisë të nisë hetimet penale për keqpërdorimin e strukturave të shtetit.
Ne kërkojmë nga Avokati i Popullit që të reagojë me forcë ndaj këtyre rasteve skandaloze. Shqipëria nuk do të shndërrohet në Bjellorusinë e rajonit ku burgjet të mbushen me kritikë të regjimit.
Kuvendi është kthyer prej kohësh në një noter të neveritshëm që miraton ligjet për llogari të oligarkëve të lidhur me qeverinë.
I tillë ishte miratimi pa debat i ligjit të kontestuar edhe nga BE, opozita dhe ekspertët për masakrimin e zonave të mbrojtura që rrezikojnë të kthehen në sheshe ndërtimi për resorte e biznese që kanë synim pastrimin e parave.
Tërheqja nga rendi i ditës i projektligjit për amnistinë ishte një tjetër dëshmi se si Kuvendi është marrë peng nga Edi Rama ku ligjet hiqen dhe shtohen sipas axhendës së kryeministrit”, u shpreh Meta.