Një tjetër sezon për t’u harruar për Paris Saint-Germain në Ligën e Kampionëve hapi pyetjen nëse Kylian Mbappe do të qëndrojë në Parc des Princes pas verës.
Një nga futbollistët më të mirë për momentin verën e kaluar ishte afër kalimit te Real Madrid, në fund ai vazhdoi kontratën me mesazhin se dëshiron të fitojë titullin evropian me francezët.
Megjithatë kjo u pasua nga një tjetër zhgënjim: eliminimi prej Champions League nga Bayern Munich.
Legjenda e futbollit francez dhe botëror, Thierry Henry, beson se është koha që Mbappe të përballet me disa sfida të reja në karrierën e tij.
“PSG-ja e mbajti atë këtë verë, por unë mendoj se do të jetë shumë e vështirë për të që ta bëjë përsëri tani”, tha Henry.
Nëse Mbappe do t’i kërkonte këshilla, Henri do të thoshte si vijon:
“U largova me kohë nga Arsenali, sepse më pëlqente të konkurroja më shumë se çdo gjë në botë. Më pas shkova në Barcelonë, ku ishin Lionel Messi, Ronaldinho dhe Samuel Eto’o. Më thanë atëherë se nuk do të isha titullar, por unë iu përgjigja atyre: “Do të shohim”. Epo, djalë, nëse të pëlqen të konkurrosh, duhet të shkosh diku ku mund ta bësh”, tha Henri. /albeu.com