Mes dy klubeve të Serisë A, mesfushori i kombëtares bën zgjedhjen përfundimtare

Merkato e verës do të sjellë ndryshime sa i takon karrierës së Ylber Ramadanit. Mesfushori i kombëtares është një element i spikatur në Skoci në radhët e Aberdeen dhe si i tillë nuk ka kaluar pa u vënë re edhe nga klubet e Serisë A.

Për momentin janë dy klubet të cilat kërkojnë shërbimet e ish-lojtarit të Partizanit, Lecce dhe Hellas Verona. Madje, këta të fundit kanë dërguar edhe një ofertë në drejtim të Aberdeen duke lënë mjaft të kënaqur klubin skocez. Mirëpo, është Ramadani ai i cili mban “peng” akordin pasi është i “joshur” nga projekti i klubit të Lecces.

Për momentin nuk ka një akord mes Lecces dhe Aberdeen, megjithatë futbollisti shqiptar ia ka bërë të qartë dëshirën e tij drejtuesve skocezë dhe është i bindur se dy klubet do të gjejnë gjuhën e përbashkët në ditët në vijim.

Nëse transferimi mbyllet me sukses, atëherë Serie A do të përfaqësonte mundësinë e artë në karrierën e 27-vjeçarit që e ka nisur futbollin nga Ferizaj, për të kaluar më pas te Prishtina, Drita, Partizani, Vejle, Budapest e në fund Aberdeen.


Shtuar 1.08.2023 10:08