Pas një seance maratonë që zgjati më shumë se 25 orë, deputetët e maxhorancës votuan në shumicë kandidaten Marjana Semini, e cila tashmë do të jetë anëtarja më e re e Gjykatës Kushtetuese.
Në përfundim të votimit rezultoi se ish drejtuesja e Shkollës së Magjistraturës mori 58 vota nga deputetët e shumicës, Ardian Dvorani 14 vota, ndërsa Arta Vorpsi 2 vota.
Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka argumentoi se sipas Kushtetutës, në momentin kur asnjë nga kandidatët nuk ka 84 votat e mjaftueshme, kandidatja e renditur e para në KED, Marjana Semini merr mandarin në Kushtetuese.
Sa i përket votimit për Avokatin e Popullit, ashtu siç e kishte paralajmëruar edhe kryeministri Rama, maxhoranca nuk pranoi asnjë prej dy kandidatëve Ledio Braho dhe Altin Goxhaj, duke bërë që gara për drejtuesin e këtij institucioni të hapet sërish.
Opozita, ashtu siç kishte paralajmëruar e bojkoi procesin e votimit, ndërkohë që deri në fund qëndruan tre deputetët e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi, Petrit Vasili dhe Erisa Xhixho.
VOTIMI
“Për emërimin e një anëtari të Gjykatës Kushtetuese”
Ardian Dvorani 14
Marjana Semini 58
Arta Vorpsi 2
3 vota të pavlefshme
“Për zgjedhjen e Avokatit të Popullit”
Ledio Braho 3 pro
Altin Goxhaj 70 kundër
“Për zgjedhjen e Kryetarit të Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të shtetit”
71 pro Gentiana Sulën
5 kundër
1 abstenim
1 bosh
1 fletë votimi në kutinë e gabuar
“Për emërimin e një anëtari të Bordit të Entit Rregullator të Energjisë Elektrike”
72 pro Eriola Sadushi
4 kundër
3 abstenim
1 gabim