Rritja e aktivitetit të pasurive të paluajtshme është ngadalësuar ndjeshëm në tremujorin e parë të këtij viti, sipas të dhënave të fundit nga INSTAT për Prodhimin e Brendshëm Bruto.
Transaksionet e shitblerjeve në vend arritën në 36 miliardë lekë, ose gati 360 milionë euro në periudhën janar-mars. Ndonëse në vlerë ky është një rekord i ri, ritmet e rritjes janë më të ulëtat që nga mesi i vitit 2011, përpara se tregu të niste zgjerimin e fortë dyshifror.
Të dhënat e INSTAT, bëjnë të ditur se aktiviteti i pasurive të paluajtshme u rrit me 5.9% me bazë vjetore në tremujorin e parë të këtij viti.
Ritmet e rritjes janë përgjysmuar në krahasim me 2023, kur kulmuan në 11.3%, niveli më i lartë në të paktën një dekadë.
Ndryshe nga aktiviteti i pasurive të paluajtshme, sektori i ndërtimit ka vijuar rritjen e fortë, duke sinjalizuar për herë të parë në këto dy vitet e fundit për një mospërputhje të kërkesës me ofertën. Ndërtimi u rrit me 14% në janar-mars 2024, nga 9.8% që ishte zgjerimi vitin e kaluar.
Ndërsa kërkesa duket se është në rënie, oferta do të vazhdojë rritjen. Në mbledhjen e fundit, Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi lejen e zhvillimit për një ndërtesë me 65 kate mbi tokë dhe gjashtë nën tokë.
Në listën e KKT janë edhe disa projekte në rrugën “Dritan Hoxha” me 35 kate, apo në rrugën “Teodor Keko”, me lartësi 50 kate mbi tokë. Tashmë duket se kullat po kalojnë zonën brenda unazës duke u shtirë edhe në pjesën më periferike të kryeqytetit.
Një projekt që parashikon një kompleks multifunksional rezidencial prej 27 katesh në zonën e Kasharit.
Më herët, edhe ndërtuesit kanë pohuar se tregu po shfaq shenja ngadalësimi në kahun e porosive.
Sipas anketës së besimit të bizneseve të Bankës së Shqipërisë (BSH) të qershorit, sektori i ndërtimit nuk është optimist për të katërtin muaj radhazi. Madje në prill – qershor, balanca është kthyer në negative, që do të thotë se pesimizmi mbizotëron mbi optimizmin.
Bizneset presin më pak porosi. Balanca e përgjigjeve[1] për pyetjen e kontratave porositëse ishte negative prej -22.5, që tregon se më shumë ndërtues presin që të ketë më pak porosi. Ky është niveli më i ulët i këtij viti.
Agjentët e pasurive të paluajtshme pohojnë se shtrenjtimi i çmimeve të apartamenteve ka filluar të ndikojë në trendin e rënies së kërkesës për prona me çmim shitjeje mbi 1,500 euro/m².
Nga ana tjetër, rritja e çmimeve në qendër zhvendosi kërkesën në periferi, duke bërë që dhe kjo e fundit të rritet në 1000-1200 euro/m².
Një faktor tjetër që ka frenuar kërkesën lidhet me hetimet e SPAK. Sipas agjentëve imobiliarë, blerësit me të ardhura të rregullta hezitojnë të blejnë në pallate, ndërtuesit e të cilëve mund të jenë objekt i SPAK.
Edhe një sërë hetimesh nga SPAK kundrejt figurave të fushës politike por edhe të sipërmarrjes, po jep ndikime në tregun e shitblerjes së pasurive të paluajtshme.
Një burim që po furnizon tregun mbeten blerjet e të huajve, sidomos në zonat bregdetare.
Të dhënat e fundit të Bankës së Shqipërisë bënë të ditur se gjatë tremujorit të parë 2024, flukset valutore hyrëse në formën e Investimeve të Huaja Direkte ishin të përqendruara kryesisht në pasuri të paluajtshme, në masën 23%, sektorin e ndërmjetësimit financiar, në masën 21%, e hidrokarbureve, në masën 13%, e energjetikës, në masën 5%, si dhe komunikacionit, në masën 5%. Në vlerë, investimet e huaja në pasuri të paluajtshme ishin rreth 81 milionë euro në tremujorin e parë.
Në vitin 2023, sipas INSTAT, transaksionet e pasurive të paluajtshme arritën në 137 miliardë lekë, ose rreth 1.3 miliardë euro. Ky është niveli më i lartë i shitblerjeve i regjistruar ndonjëherë.
Në 2022 dhe 2023, aktiviteti i pasurive të paluajtshme u rrit me shpejtësi, me përkatësisht 11.2 dhe 11.3%, ritmet më të larta nga të gjithë sektorët e tjerë.