Menaxhimi i zjarreve në vend, Çako anashkalon Dritan Lelin, falenderon prefektin e Vlorës

Kreu i i Emergjencave Civile Haki Çako ditën e sotme ka bërë bilancet e zjarreve në vend dhe ka falenderuar kryetarët e bashkive si dhe prefektët për punën e bërë gjatë këtyre javëve ku ka pasur shumë vatra aktive.

Ai tha se dëmet nga zjarret arrijnë një vlerë prej 33.420 hektar kullota, pyje e shkurre si dhe 14 mijë rrënjë ullinj e pemtari. Çako tha se vendi ynë është një vend me rrezikshmëri të lartë për zjarret dhe se në gjithë vendin shpërthyen 389 vatra zjarri. Zjarri më masiv ishte në Gadishullin e Karaburunit.

Çako falenderoi kryetarin e Bashkisë Gjirokastër dhe atë të Fushë-Arrësit, ndërtsa Dritan Lelin e Vlorës e anashkaloi duke falenderuar vetëm prefektin prefektin Flamur Manaj.

“Bazuar në kuadrin ligjor është ngritur Mbrojtja Civile një strukturë ndërinstitucionale për të arritur objektivat me qëllim anëtarësimin në mekanizmin e mbrojtjes civile europiane. Jemi përballur me tërmetin, pandeminë dhe zjarre që kanë kërkuar kapacitete njerëzore. Me ardhjen e stinës së verës Shqipëria u përfshi nga zjarre të konsiderueshme dhe përmasa të mëdha.

Ndër më masive përmendim zjarrin në zonën e mbrojtur të Karaburunit, Gjirokastër ku humbën jetën dhe dy qytetarë. Ndonëse u aktivizuan kapacitetet tona u konsiderua e domosdoshme kërkimi i asistencës në qendrat europiane. Holanda, Çekia dhe SHBA mundësuan dërgimin e helikopterëve për operacionin nga ajri. Për përballimin e 389 vatrave të zjarrit janë angazhuar helikopterë të forcave të armatosura, Holandës dhe Çekisë.

Nga vlerësimet e ekspertëve janë raportuar të djegura kullota dhe pyje. Situata e zjarreve dhe dëmet e shkaktuara evidentuan gatishmërinë e forcave të Mbrojtjes Civile në Shqipëri. Një falënderim për prefektët e qarqeve dhe strukturat vendore, një veçanti për prefektin e Vlorës Flamur Manaj, kryetarin e Bashkisë së Gjirokastrës Flamur Golemi, kryetarin e Bashkisë së Fushë-Arrëzit zotin Fran Tuçi dhe të tjerë. Respekt dhe falënderim për partnerët tanë kombëtar”, tha Çako./albeu.com

 


Shtuar 3.09.2021 11:39