Meloni: E drejta e Izraelit për vetëmbrojtje duhet të jetë në përputhje me ligjin ndërkombëtar

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, përsëriti të dielën (17 Dhjetor) se e drejta e Izraelit për vetëmbrojtje duhet të jetë në përputhje me ligjin ndërkombëtar.

“Ne kemi mbajtur anën e Izraelit pas sulmeve të Hamasit dhe i kërkojmë Izraelit të mbrohet në përputhje me ligjin ndërkombëtar, duke mbrojtur popullsinë civile”, tha Meloni.

Duke iu referuar politikës së Italisë për luftën e Rusisë në Ukrainë, ajo theksoi mbështetjen e qartë dhe të fortë të qeverisë për Kievin.

“Respekti në politikën e jashtme arrihet duke mbajtur fjalën. Italia ka gjithçka për të humbur në një botë ku forca e ligjit zëvendësohet nga ligji i më të fortëve”, tha Meloni. 

Meloni tha gjithashtu se sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës ka qenë i motivuar nga nostalgjia e saj për imperializmin sovjetik, raportojnë mediat e huaja.

Izraeli ka bombarduar Rripin e Gazës nga ajri dhe toka, ka vendosur një rrethim dhe ka ngritur një ofensivë tokësore si hakmarrje për një sulm ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor.

Sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës, rreth 18,800 palestinezë janë vrarë që atëherë në sulmet izraelite, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, dhe 51 mijë janë plagosur.

Numri i të vdekurve izraelitë në sulmin e Hamasit është 1200, ndërsa më shumë se 130 pengje ende mbahen nga grupi palestinez në Gaza, sipas shifrave zyrtare.


Shtuar 18.12.2023 17:40