Media serbe: Kurti dhe Vuçiç pritet të nënshkruajnë një deklaratë në Bruksel

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç do të takohen më 18 gusht në Bruksel dhe siç mëson “Nova”, në atë takim pritet të nënshkruhet edhe një deklaratë e përbashkët për zgjidhjen e çështjes së personave të pagjetur.

Agjenda zyrtare e takimit të Kurti-Vuçiç nuk dihet ende për publikun. E përderisa pala serbe pret të diskutohet për problemin me kartat e identitetit dhe riregjistrimin e automjeteve me targa kosovare, e cila për pak sa nuk solli dhunë në Kosovë, Kurti në një deklaratë për media ka thënë se kjo është punë e kryer për qeverinë e Kosovës dhe se nga 1 shtatori fillon implementimi.

Siç raporon “Nova”, nënshkrimi i deklaratës për zbardhjen e personave të pagjetur mund të jetë në rendin e ditës në Bruksel dhe kjo duhet të paraqitet si një hap i madh përpara në marrëdhëniet mes dy palëve.

“Ajo deklaratë do të mbështeste procesin e gjetjes së personave të zhdukur dhe zgjidhjen e fateve të tyre. Ai dokument duhet të nënshkruhet nga Kurti dhe Vuçiç dhe të ketë jehonë në opinion. Teksti ka përfunduar dhe presim momentin për t’u firmosur”, thotë burimi i gazetës serbe.

Ai deklaron se çështja e pronës dhe kthimit duhet të zgjidhet në vjeshtë.

Veljko Odaloviq, kryetar i Komisionit të Qeverisë së Serbisë për Persona të Zhdukur, tha për “Nova” se nënshkrimi i deklaratës për personat e pagjetur është diskutuar në disa raunde të mëparshme të dialogut në Bruksel. Ai thotë se teksti i deklaratës ishte dakorduar në masë të mirë, por edhe se Prishtina kishte disa kërkesa.