Media greke: Korrupsioni, dështimi me negociatat dhe skandali me të dhënat do t’ia bëjnë të vështirë qëndrimin në pushtet Edi Ramës

Media greke ‘Protothema’ i ka kushtuar një artikull zgjedhjeve që do të mbahen të dielën në Shqipëri, ku thotë se ato mbahen në klimën e një serie dështimesh, korrupsioni e skandalesh, si dhe një vonese sa i takon plotësimit të kushteve për çeljen e negociatave.

“Shqipëria është në prag të ndryshimit të pushtetit”, thuhet në shkrim duke lënë të kuptohet ideja e rotacionit të pushtetit.

“Edi Rama do të përpiqet të rizgjidhet megjithëse analistët besojnë se korrupsioni dhe përparimi i ngadaltë në negociatat e integrimit në Bashkimin Evropian do ta bëjnë Kryeministrin shqiptar të luftojë fort për të qëndruar në pushtet”, shkruan më tej media greke, ndërsa nuk lë pa pëmendur dhe skandalin me rrjedhjen e të dhënave të qytetarëve nga e-albania.

“Skandali i fundit ka të bëjë me përdorimin e të dhënave personale elektronike, E-Albania, një portal qeveritar që mban të dhëna private dhe të mbrojtura për çdo qytetar të Shqipërisë. Të dhënat dyshohet se i janë dhënë partisë së Edi Ramës dhe prandaj secilit qytetar i është caktuar një patronazh i anëtarit të partisë. 

Në zbulimin e këtij skandali shënimet e individëve patronazh përfshinin deklarata raciste dhe madje edhe plane për izolimin e votuesve të caktuar duke i mbajtur ata me forcë ditën e zgjedhjeve. Vetëm disa ditë nga zgjedhjet, qeveria e Edi Ramës imponon karantinë 14-ditore për shtetasit shqiptarë që jetojnë në Greqi dhe që synojnë të udhëtojnë në vendlindjet e tyre, një veprim i interpretuar si një përpjekje për të dekurajuar ata që dëshirojnë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës”, përfundon shkrimi në median greke.


Shtuar 21.04.2021 09:15