MED 24/ Papa Françesku mesazh për të rinjtë e Shqipërisë: Vazhdoni të jeni shembull i paqes në rajon

10 vjet pas vizitës historike të Papa Françeskut në Tiranë, Ati i Shenjtë dha një mesazh për rininë shqiptare, duke folur nga Vatikani. Këto ditë në Tiranë po zhvillohet MED24 për herë të parë në Shqipëri, me mbështetjen e Papa Françeskut për të promovuar shpresën dhe paqen në rajonin tonë dhe në botë. Pikërisht gjatë punimeve të këtij takimi është transmetuar nga Imzot Arjan Dodaj dhe mesazhi i Atit të Shenjtë për të rinjtë e Shqipërisë.

Një dekadë pas vizitës historike të Papa Françeskut në Tiranë, Ati i Shenjtë i është drejtuar rinisë shqiptare, me një mesazh që promovon paqen dhe shpresën. Tek sa po mbahet për herë të parë në Shqipëri takimi MED24, një iniciativë e Papa Françeskut për të bashkuar të rinjtë e Mesdheut, gjatë konferencës me temë: “Dialogu ndërfetar mund të luajë një rol të rëndësishëm në ndërtimin e paqes”, Imzot Arjan Dodaj, ka prezantuar para të rinjve nga i gjithë Mesdheu, një video-mesazh të Atit të Shenjtë drejtuar të rinjve shqiptarë. Papa Françesku thekson rëndësinë e bashkëjetesës paqësore dhe bashkëpunimit ndërfetar, duke i bërë thirrje të rinjve shqiptarë të vazhdojnë të jenë një shembull i mirë për rajonin dhe botën. Ati i Shenjtë tha gjithashtu se, takimi MED24 është një mundësi për të ndërtuar ura të reja dialogu dhe për të promovuar paqen dhe drejtësinë në rajonin e Mesdheut.

Papa Françesku: Të dashur miq, të dashur të rinj shqiptarë dhe të Mesdheut, Është për mua gëzim të di që ju jeni mbledhur në Tiranë, pikërisht 10 vjet pas vizitës sime në vendin tuaj të dashur, në vitin 2014. Nuk mund ta harroj dhe kujtohem për atë udhëtim të paharrueshëm, ku kam mundur të takoj popullin tuaj, një popull me larmishmëri portretesh, por i bashkuar nga kuraja. Siç ju thoja atëherë të rinjve: – “Ju jeni breznia e re e Shqipërisë”, – shtoj sot të dashur të rinj të pesë brigjeve të Mesdheut: – “Ju, breznia e re, jeni e ardhmja e rajonit të Mesdheut”. Të gjithë jemi shtegtarë të shpresës, që ecim në kërkim të së vërtetës, duke e jetuar fenë tonë ndërsa ndërtojmë paqen – e Paqja duhet të ndërtohet!


Shtuar 17.09.2024 12:55