Më shumë se tre orë në SPAK, Balla flet për kallëzimet e bëra, komenton dhe arrestimin e Dakos

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, pas tre orësh në SPAK  ku ka dëshmuar lidhur me akuzat për çështjen e privatizimit të klubit “Partizani”, ka folur për mediat tha se drejtësia e re duhet të bëjë punën e saj dhe t’i shkojë deri në fund çështjeve.

Balla tha se ditën e nesërme do të paraqitet sërish në SPAK për të bërë një kallëzim penal lidhur me deklarimet e ish-kryeministrit Sali Berisha.

“Kam qenë shpesh në këtë institucion për të depozituar kallëzime penale, edhe kur kam qenë në opozitë dhe tani si kryetar grupi. Shpresoj që SPAK ti shkojë deri në fund këtyre akuzave, kam bërë kallëzim dhe për çështje të tjera. Nesër do të jem sërish këtu për një çështje ku kam bërë një kallëzim penal për deklarimet e Sali Berishës dhe në momentin që kur ngrihet një akuzë duhet ta adresosh në SPAK. Dua t’i qëndroj angazhimit me prokurorët, çështjet që diskutova do të mbeten private dhe kam dhënë sqarimet e mia. Një prej rasteve tipike të korrupsionit, të shkojë deri në fund.

Arrestimi i Vangjush Dakos?

Kryeministri ka qenë i qartë, dua t’i kërkoj drejtësisë së re që çështjet të mbyllen dhe për ata që ne kemi dyshime dhe kemi bërë kallëzime të vihen para drejtësisë”, tha ai.


Shtuar 7.06.2023 13:44