Më shumë se 10 policë të arrestuar e të pezulluar, reagon për herë të parë Gledis Nano

Ditën e sotme drejtori i Policisë së Shtetit Gledis Nano ka zhvilluar një takim me ambasadoren franceze në Tiranë, Elisabeth Barsacq.

Gjatë këtij takimi, Nano ka reaguar në mënyrë indirekte për aksionet që janë ndërmarrë ditët e fundit në disa qytete që kanë çuar edhe në pezullimin e disa efektivëve të policisë.

Aksionet kanë sjellë pezullimin e 10 efektivëve të policisë, arrestimin e 4 prej tyre, dhe shpalljen në kërkim të nënkomisarit të policisë së Pukës Kastriot Bicukaj.

Nano ka shprehur falenderim për policinë e shtetit, dhe ka thënë se do të kenë mbështetjen e tij të gjithë ata efektivë që qëndrojnë në krah të ligjit dhe vetëm në zbatimin e tij.

“Mirënjohje për këtë ndihmë të vlefshme për strukturat operacionale në Policinë e Shtetit dhe për trajnimin e kryer. Ju siguroj se këto pajisje do të përdoren me profesionalizëm për të parandaluar dhe goditur krimin.

Faleminderit për mbështetjen e deritanishme, me bindjen se edhe në të ardhmen do të kemi akoma më shumë bashkëpunim dhe mbështetje nga ambasada dhe Policia franceze.

Përfitoj nga rasti që të falënderoj jo vetëm kolegët në sallë, por të gjithë ata që punojnë me përkushtim në terren dhe përballen përditë me rrezikun dhe vështirësitë, duke i siguruar se kanë mbështetjen time të palëkundur për të qëndruar në krah të atyre që zbatojnë ligjin dhe vetëm ligjin”, ka thënë Nano.

 


Shtuar 21.10.2021 13:40