Me qera vetëm për nipin, gjyshja e Mikele: Të fitoj sa jam gjallë

Naxhije dhe Mikele Çaushaj janë dy personazh të spikatur në garën e kërcimit ‘T’ka Mami Yll’, të cilët sot ishin të ftuar në ‘Abc e Pasdites’ për të na rrëfyer marrëdhënien e ngushtë mes njëri tjetrit. Me dy prindër në emigracion, Mikele është rritur nga nëna e tij e dashur e cila prej vitesh e ndjek në rrugëtimin e tij artistik.

“Kemi ngacmimet tona. Ndonjëherë më kritikon dhe unë i them se e di vetë. Ndërhyn por mua më pëlqen sepse do që ta bëj sa më mirë. Më kënaq zemrën përkushtimi i nënës.” – shprehu 13 vjeçari.

Një sfidë e madhe për dyshen, të cilët lanë qytetin e Vlorës për të ardhur në Tiranë në mënyrë që Mikele të ishte pjesë e programit. Në një shtëpi me qera, gjyshe Naxhija thotë se qëllimi i tyre është të qëndrojnë në kryeqytet ku e ardhmja e balerinit të vogël duket më e ndritur. Për të çmimi i madh në ‘T’ka Mami Yll’ është i rëndësishëm pasi sipas saj “nuk i dihet jetës, s’e di a do arrijë ta shohë sa larg do eci”.

Ndonëse Mikele e do dhe e ka zgjedhur rrugën televizive, për Naxhijen dalja përpara ekranit ka qenë e papritur.

“Nuk e dua televizionin, madje e kam të vështirë. Vetëm për djalin, edhe madje me siklet të madh që në fillim.” – shprehu ajo.

Teksa bisedonin në studio, Mikele ndaloi edhe në bullizmin që ka ndjerë në qytetin e lindjes për shkak të ushtrimit të baletit. Sipas tij, njerëzit paragjykonin stilin e tij të kërcimit pork jo gjë nuk e ka mërzitur. Përkundrazi, ai thotë se ka qenë një mënyrë e mirë motivimi për të ecur përpara.

Për më tepër ju ftojmë të ndiqni bisedën në videon e publikuar në kanalin e YouTube të Abc News Albania.


Shtuar 3.11.2021 18:47