Me pranga në duar dhe pa bërë rezistencë, momenti kur arrestohet autori i vrasjes së dyfishtë në Gramsh (VIDEO)

Policia ka publikuar videon nga momenti i arrestimit të Xhavit Sinanin, i cili vrau bashkëshorten dhe vëllanë ditën e sotme në Gramsh.

Sipas policisë, autori e kreu vrasjen për motive të dobëta, duke goditur me sëpatë bashkëshorten 74 vjeçe dhe vëllanë, i cili ndodhej rreth 1 kilometër larg nga banesa e autorit.

Njoftimi i policisë:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Gramsh, pas marrjes së njoftimit, rreth orës 14:50, se në fshatin Tervol, Gramsh, kishte ndodhur një krim i dyfishtë, janë nisur menjëherë drejt vendngjarjes.

Nga veprimet e para hetimore rezultoi se shtetasi Xh. S., 80 vjeç, dyshohet se për motive të dobëta, ka vrarë, me send të mprehtë (sëpatë), bashkëshorten e tij, shtetasen Z. S., rreth 74 vjeçe, e cila ndodhej në banesë, dhe më pas ka vrarë vëllanë e tij, shtetasin Sh. S., 73 vjeç, i cili ndodhej në territorin e banesës së tij, rreth 1 kilometër larg nga banesa e autorit.

Fale veprimeve të shpejta të shërbimeve të Policisë u bë kapja dhe shoqërimi i autorit, për në Komisariatin e Policisë Gramsh për veprime të mëtejshme.

Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar mjeti i mprehtë sëpatë me të cilën autori dyshohet që ka kryer krimin  e dyfishtë.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.


Shtuar 27.01.2023 18:18