“Më nisi lekët e ditëlindjes”, flet për herë të parë babai i Aleksandër Sadikajt që u hodh “në erë” në Sauk

Babai i 27-vjeçarit Aleksandër Sadikajt, Fatmir Sadikaj, ka folur lidhur me vrasjen e të birit, Aleksandër Sadikaj. Ai tha se e ka marrë vesh lajmin tronditës nga mediat, duke u shprehur se ishte “si bombë”.

Babai i Aleksandrit, Fatmir Sadikaj: E mora vesh lajmin nëpërmjet televizorit. Ishte si bombë. Dy ditë më parë kam folur me të në telefon për herë të fundit. Nuk diskutuam asgjë, përvecse kisha ditëlindjen para ca kohësh dhe më nisi lekët e ditëlindjes, kaq. Asgjë tjetër. Nuk m’i nisi dot lekët më datën 2 dhe m’i nisi atëherë. Ishte djalë shumë i mirë. Nuk është e drejtë për baballarët dhe nënat, që hapin televizorin dhe dëgjojnë direkt pas një minute lajme të tilla. Janë shumë rrena, shumë gënjeshtra e trillime, vetëm shpirti im e di” tha ai për News24.

Aleksandër Sadikaj ishte nisur drejt Memaliaj, por në aksin Sauk-TEG, makina me targa AB077PO me të cilën ai po lëvizte shpërtheu, si rrjedhojë e sasisë së tritolit. Autorët janë treguar të kujdesshëm, kjo pasi kanë vendosur që të bëjnë shpërthimin e komanduar në një moment kur nuk ka pasur në rrugë asnjë makinë tjetër përreth Sadikajt, duke shmangur rrezikun që nga ai shpërthim të vritej një person i pafajshëm. Bomba me celulare dyshohet se i është vendosur nga persona që kishin akses te makina. Nga shpërthimi Sadikaj ka humbur 2 gjymtyrët e poshtëm, këmbët, dhe ia ka dalë që të dilte vetë nga makina. Ai është ndihmuar edhe nga kalimtarët, teksa është dërguar me urgjencë në spital, por për fat të keq nuk ia ka dalë që t’i mbijetonte plagëve të marra, për rrjedhojë humbi jetën.

Kush është Aleksandër Sadikaj?

27-vjeçari Aleksandër Sadikaj është një njeri me precedent të theksuar kriminal në fushën e vjedhjes, krimeve ndaj personit dhe narkotikëve. Ai rezulton pronar i një resorti me pistë hipizmi, i njohur si “Sancho Farm Albania” në Memaliaj, vendi i origjinës së nënës. 3 vite më parë, në korrik të 2019, ishte i përfshirë në një tjetër ngjarje kriminale ku ka tentuar që të vrasë me thikë 40-vjeçarin nga Vlora Berti Tahiraj, pranë Kanalit të Cukës në Sarandë. Ndërkohë, rezultonte si autor i disa vjedhjeve apo kundërshtimeve të urdhrave të policisë. Përveç akuzave të tjera ndër vite, para 5-6 vitesh ai dyshohet se ka kryer një vrasje në Athinë për prishje pazaresh të drogës.