Të tjera detaje janë zbardhur në lidhje me atentatin me tritol, ku mbeti i vrarë 27-vjeçari Aleksandër Sadikaj.
Gazetarja Klodiana Lala tregon të gjithë itinerarin që ka ndjekur Sadikaj deri në momentin kur ndodhi ngjarja. Referuar hetimeve, Lala tregon se nga momenti kur i riu ka dalë nga shtëpia deri tek shpërthimi kanë kaluar vetëm 5 minuta e 30 sekonda.
“Ndër të paktat ngjarje që personalisht më kanë tronditur. Kam parë ngjarje të rënda për shkak të këtij profesioni. Kam një video të asaj ngjarjeje që është shumë e rëndë, jo vetëm për familjarët, por edhe qytetarët. Një njeri që përpëlitet për ndihmë në grahmat e fundit të jetës për ndihmë dhe që askush nuk i shkonte. Aty ka qenë dëshmitar dhe një nënë me fëmijë, e cila ka mbetur e lënduar lehtë nga kjo ngjarje. E kam lexuar dëshminë e një personi që e ka shoqëruar në spital, prokurori e ka pyetur nëse i ka thënë gjë, ai i kishte thënë se Aleksandri i ka kërkuar vetëm ujë. Ai është gjetur duke qarë në derën e spitalit”, tha Lala në emisionin “Open” në News24.
Lala tha gjithashtu se kjo ngjarje ka rikthyer frikë.
“Kjo është një ngjarje që ka kthyer frikë dhe terror. Nga 2013 ishin bërë më të rralla shpërthimet me eksploziv. Në 2013-2014 ishte banda e Julian Sinanaj që mori përsipër disa shpërthime dhe më pas u pendua. Kemi pasur më pas raste sporadike. Më i rëndi ai i gjyqtarit Ikonomi në 2009. Një ngjarje që tenton të përçojë mesazhe, të mbjellë frikë dhe terror. Në këtë aspekt ekzekutorët ia kanë dalë sepse edhe sot në vend janë gjurmët e krimit.
Aleksandër Sadikaj ka dalë në orën 13:20 nga banesa e tij që kishte në Saukun e vjetër, jetonte prej rreth 1 viti me bashkëjetuesen e tij, e cila ka rrëfyer detaje nga dita e fundit. Nga dalja nga shtëpia deri te shpërthimi kanë kaluar 15 minuta e 30 sekonda. Hetuesit dyshojnë se ishte vendosur afro gjysmë kg C4 në makinën me targa AB 077PO, nisur nga përmasat e shpërthimit. Për fat të mirë nuk ka pasur distancë të afërt dhe një automjet që ka qenë disi larg, ka pasur dëmtime të lehta.
Ekzekutorët e kanë ndjekur dhe kanë zgjedhur momentin kur rruga ngushtohet dhe s’mund të futen shumë makina. Nga grupi hetimor janë duke parë të gjitha kamerat e sigurisë dhe qelizat e telefonit. Sadikaj, tre ditë para ngjarjes ka qenë në Memaliaj sipas bashkëjetueses. Në datë 8 kishte qenë në Memaliaj ku kishte një fermë, në datë 9 kanë ardhur në Tiranë, kanë darkuar në një lokal afër komunës së Parisit dhe shpjegon se ka parë në parkim kapakun e serbatorit të hapur, por i riu nuk i kishte kushtuar rëndësi.
Të nesërmen vijoi jetën normalisht. Vajza shpjegon më pas dhe faktin se ai nuk ruhet, se bizneset po i ecnin shumë mirë dhe se ishte i lumtur. Tregon më pas dhe momentin tragjik kur ka marrë vesh lajmin. Kur një nga miqtë e Aleksandrit e kishte telefonuar.
Janë pyetur shumë persona. Do të jetë një ngjarje e vështirë për t’u zbardhur sepse shpërthime me eksploziv janë ngjarje që shkatërrojnë prova. Të tre celularët e viktimës të shkrumbuar, është dëmtuar dhe pistoleta. Tre pista kryesore, njëra trafiku i kokainës. Sadikaj kishte njohje të forta me personazhe të botës së krimit në Holandë….
Dhe një për borxhet, por hetuesit nuk besojnë se është pista më e fortë e mundshme.
Ne sot duhet të diskutojmë pse Shqipëria ka ardhur në këtë pikë. Shpesh ne kapemi me detajet, por nuk shkojmë më tej për të zbuluar a ka një mënyrë për t’i parandaluar ngjarje të tilla, për personazhe me rekorde. A ka një strategji?
Është ngjarja e katërt në Tiranë në pak muaj që është pa autorë. E vetmja e shpresë janë qelizat e telefonit të autorëve të dyshuar, ose mundësia që të kenë bërë ndonjë gabim gjatë vendosjes së eksplozivit”, tha Lala./albeu.com