Konfliktet, krizat humanitare dhe katastrofat në rritje të lidhura me klimën kanë çuar në nivele më të larta të dhunës ndaj grave dhe vajzave (VAWG), e cila është intensifikuar gjatë pandemisë COVID-19, duke sjellë në fokus nevojën urgjente për të frenuar plagën.
Në nivel global, pothuajse një në tre gra kanë përjetuar dhunë.
Dhuna me bazë gjinore (GBV), ajo më e përhapura, nuk është as e natyrshme, as e pashmangshme dhe duhet parandaluar.
Duke shënuar 16 Ditët e Aktivizmit për të luftuar dhunën ndaj grave dhe vajzave, UN Women po tregon historitë e 5 grave që ia kanë dalë të triumfojnë mbi dhunën, emrat e të cilave janë ndryshuar për të mbrojtur identitetin e tyre.
“E bindur” se ajo do të vritej
Diana, 48-vjeçarja nënë e 7 fëmijëve, nga provinca argjentinase Chaco ka vuajtur për 28 vjet përpara se të vendoste përfundimisht të ndahej nga partneri i saj abuziv.
“Nuk kisha frikë se do më rrihte, isha e bindur se do më vriste”, tha ajo, ndërsa rrëfeu se në fillim hezitonte të bënte një denoncim në polici nga frika se si mund të reagonte ai. Por kur mësoi më shumë për shërbimet e ofruara nga një strehë lokale, kuptoi se mund t’i shpëtonte torturuesit. Ajo gjithashtu vendosi të ngrejë akuza ndaj tij. Duke jetuar me një baba dhunues, fëmijët e saj gjithashtu pësuan stres psikologjik dhe kishin vështirësi ekonomike.
Largimi nuk ishte i lehtë, por me mbështetjen e një punonjësi social, streha lokale u bë një hapësirë e sigurt për të dhe fëmijët e saj për të rimarrë veten. Diana u bë asistente në një zyrë bashkie.
“E pranoj që ishte e vështirë, por me mbështetjen nga ana e shëndetit mendor, ndihmën ligjore dhe trajtimin e aftësive, u shërova” tregoi ajo.
Shërbimet thelbësore për të mbijetuarit e dhunës në familje janë një rrugë shpëtimi.
Unë nuk ndihem më si e burgosur, në qoshe apo e tradhtuar. Ka kaq shumë gjëra nëpër të cilat njeriu kalon si viktimë, duke përfshirë persekutimin psikologjik, por tani e di se mund të bëj gjithçka që kam në mendje”.
E mbijetuara tashmë “e emocionuar për atë që e pret përpara”
Ndërsa pandemia Covid-19 përfshiu Bangladeshin, duke shkaktuar një rritje të VAËG, shumë strehimore dhe shërbime thelbësore u mbyllën. Romela ishte martuar me një burrë mizor e torturues. “Kur isha shtatzënë, ai më goditi aq fort saqë humba fëmijë. Doja t’i jepja fund jetës time”, tha ajo.
Romena më në fund shpëtoi kur vëllai i saj e çoi në një strehimore të grave, e cila në partneritet me UN Women, ishte në gjendje të zgjeronte programin e saj të integruar për të ofruar strehim të përkohshëm të sigurt, shërbime ligjore dhe mjekësore dhe trajnim profesional për gratë e dhunuara që kërkonin një fillim i ri.
Të jetosh në një marrëdhënie abuzive shpesh gërryen zgjedhjet, vetëvlerësimin dhe potencialin e grave. Romela kishte gjetur një vend ku mund të jetonte e sigurt me vajzën e saj 4-vjeçare, raporton albeu.com.
Duke hapur një kapitull të ri në jetën e saj, ajo reflektoi: “Njerëzit e tjerë më kanë thënë gjithmonë se si të vishem, ku të shkoj dhe si ta jetoj jetën time. Tani, e di që këto zgjedhje janë në duart e mia. Ndihem e sigurt, jeta ime është më e këndshme”, tha ajo.
Beteja e vështirë me vjehrrin dhe vjehrrën
Goretti nga Kenia i vdiq burri në vitin 2001 dhe sipas traditës ajo mbeti në shtëpinë e familjes së bashkëshortit të ndjerë.
“Ata nuk më jepnin ushqim. Gjithçka që më kishte sjellë familja, rroba dhe sende shtëpiake, mi shporrën” tregon ajo.
Për gati 20 vjet pas vdekjes së të shoqit, Goretti mbeti e bllokuar në një jetë abuzive derisa vjehrri me vjehrrën filluan ta rrihnin aq keq sa u shtrua në një spital dhe nuk mund të punonte. Nga frika për të shkuar në organet e ligj-zbatimit, Goretti në vend të kësaj kontaktoi me një mbrojtës lokal të të drejtave të njeriut, i cili e ndihmoi atë të merrte kujdesin mjekësor dhe të raportonte rastin tek autoritetet lokale.
Megjithatë, ajo zbuloi shpejt se vjehrri me vjehrrën e saj kishin bërë tashmë një marrëveshje me policinë në emër të saj për të tërhequr çështjen.
“Unë nuk di as të shkruaj”, tha Goretti.
Mbrojtësit e të drejtave të njeriut në Kenia janë shpesh reaguesit e parë ndaj shkeljeve, përfshirë GBV-në. Që nga viti 2019, UN Women dhe Zyra e OKB-së e Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut (OHCHR) kanë mbështetur organizatat bazë që ofrojnë trajnime ligjore dhe ngritje kapacitetesh për të ndihmuar më mirë të mbijetuarit.
Përveç raportimit të çështjes në policinë lokale dhe gjykatat, mbrojtësja e të drejtave të njeriut Caren Omanga, e cila ishte trajnuar nga një prej këtyre organizatave, kontaktoi gjithashtu me pleqtë vendas, raporton albeu.com.
“Për pak u arrestova kur u përballa me oficerin përgjegjës”, shpjegoi Omanga. Por duke e ditur se komuniteti do të ishte kundër Gorettit, ajo filloi “procesin alternativ të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, duke e shtyrë çështjen në gjykatë”.
Më në fund, me çështjen e saj të zgjidhur jashtë gjykatës, Goretti mori një marrëveshje që i jepte asaj pronësinë dhe titullin e tokës që ajo kishte humbur në pajën e saj të martesës dhe autorët u detyruan të paguanin gjoba për të shmangur burgun.
“Është si fillimi i një jete të re pas 20 vitesh, dhe djali im po ndihet më i sigurt… Unë jam duke menduar të mbjell disa pemë për të mbrojtur parcelën dhe të ndërtoj një shtëpi shpendësh”, tha ajo.
Rritja e vetëdijes
Në Moldavi, ngacmimi seksual dhe dhuna janë tema tabu dhe, nga frika e fajësimit ose stigmatizimit, viktimat rrallë raportojnë incidente.
Në moshën 14-vjeçare, Milena u përdhunua nga i dashuri i saj në Kishinau. Ajo nuk ishte në dijeni se ajo që i bëri ishte sulm seksual dhe vazhdoi të takohej me dhunuesin e saj edhe për gjashtë muaj të tjerë përpara se të ndahej. Pastaj ajo u përpoq ta harronte.
“Ky kujtim u kyç, sikur të mos kishte ndodhur asgjë”, derisa dy vjet më vonë, pasi pa një video në Instagram, gjithçka iu rikthye, tha ajo, raporton albeu.com.
Pothuajse një në pesë burra në Moldavi ka abuzuar seksualisht me një vajzë ose një grua, duke përfshirë edhe marrëdhëniet romantike, sipas hulumtimit të vitit 2019 të bashkëbotuar nga UN Women.
E vendosur për të kuptuar se çfarë i kishte ndodhur, Milena mësoi më shumë për ngacmimet dhe abuzimet seksuale dhe më vonë filloi të rrisë ndërgjegjësimin në komunitetin e saj.
Vitin e kaluar, ajo iu bashkua një programi të mentorimit të të rinjve të UN Women, ku u trajnua për barazinë gjinore dhe të drejtat e njeriut dhe mësoi të identifikojë abuzimin dhe të sfidojë komentet dhe ngacmimet seksuale.
Milena vazhdoi të zhvillojë një udhëzues vetë-ndihmues për të mbijetuarat e dhunës seksuale, i cili, i informuar nga të mbijetuarit e moshës 12 – 21 vjeç, ofron udhëzime praktike për të kërkuar ndihmë, raportuar abuzimin dhe akses në burimet e rikuperimit të traumës.
Në sfondin e fajësimit kulturor të viktimave, që i pengon ata që kanë nevojë për të marrë ndihmë, programi i mentorimit fokusohet në vlerat dhe diversitetin feminist dhe trajton shkaqet rrënjësore të pabarazive gjinore dhe stereotipeve që përjetësojnë GBV-në dhe diskriminimin.
“Programi ka treguar se aktivizmi dhe angazhimi i të rinjve është çelësi për eliminimin e pabarazive gjinore në shoqëritë tona”, shpjegoi Dominika Stojanoska, Përfaqësuese e UN Women në Moldavi.
Mbështetni të mbijetuarat, thyejeni ciklin e dhunës
Një sondazh kombëtar i vitit 2019 zbuloi se vetëm tre nga 100 të mbijetuar të dhunës seksuale në Marok raportojnë incidente në polici pasi kanë frikë se mos turpërohen ose fajësohen dhe nuk kanë besim në sistemin e drejtësisë.
Layla nisi një marrëdhënie me drejtuesin e kompanisë për të cilën punonte. Ai i tha se e donte dhe ajo i besoi.
“Por ai më godiste sa herë që nuk bija dakord me të. Kam duruar çdo gjë, nga dhuna seksuale tek abuzimi emocional. Ai më bëri të besoja se nuk kisha asnjë shans kundër tij”, tha ajo.
Shtatzënë, e pamartuar dhe e vetmuar, Layla më në fund shkoi në polici.
Për lehtësimin e saj të madh, një police e takoi dhe i tha se kishte një zgjidhje, raporton albeu.com.
“Nuk do ta harroj kurrë këtë. Është bërë motoja ime në jetë. Fjalët e saj më inkurajuan t’i tregoja të gjithë historinë. Më dëgjoi me shumë kujdes dhe vëmendje”, vazhdoi Layla.
Ajo u referua në një strehë lokale për nënat beqare ku pati një shans të dytë.
Dy vjet më parë, ajo lindi një vajzë dhe së fundi mbylli diplomën e saj Bachelor në matematikë.
“Unë studioja ndërsa kujdesesha për fëmijën tim në strehën e nënave të vetme”, tha ajo duke mbajtur për dore vajzën e saj.
UN Women pohon se ndërtimi i besimit me policinë është një pjesë integrale e parandalimit të krimit dhe sigurisë së komunitetit.
Kur policia trajton në mënyrë profesionale rastet e GBV-së, të mbijetuarat kanë më shumë gjasa të raportojnë abuzimin dhe të kërkojnë drejtësi, shërbime shëndetësore dhe psikosociale që ndihmojnë në thyerjen e ciklit të dhunës duke dërguar një mesazh të qartë se është një krim i dënueshëm./Përshtati nga United Nations, e.b-albeu.com