Një 23-vjeçar me iniciale A. N., është ndëshkuar vetëm me 50 000 lekë gjobë, pasi u kap duke lëvizur me një automjet tip “G-Class” në breg të detit në plazhin e Vainit, Lezhë.
Edhe pse ai rrezikonte jetën e pushuesve, veçanërisht të fëmijëve, teksa drejtonte mjetin e tij buzë detit, policia nuk ka marrë asnjë masë tjetër ndëshkuese për këtë rast të rëndë.
Ngjarja u bë publike pas një videoje të shpërndarë në rrjetet sociale.
“Shërbimet e Policisë Rrugore të Lezhës, menjëherë pas publikimit të një video-je në portalin “JOQ Albania”, në të cilën shfaqet një automjet tip “G-Class” duke lëvizur në brezin e rërës në breg të detit, në plazhin e Vainit, kryen verifikimet, me qëllim nxjerrjen përpara përgjegjësisë ligjore të drejtuesit të automjetit.
Në përfundim të tyre, u identifikua dhe u shoqërua në komisariat, shtetasi A. N., 23-vjeç, banues në Lezhë.
Ai u ndëshkua me masë administrative 50 000 lekë, për shkelje të neneve 7 dhe 139 të Kodit Rrugor.”– njofton policia.