Me armë të prodhuara me printera 3D, grupi ekstrem i djathtë kishte planifikuar vrasjen e Sanna Marin

Një grup terrorist i ekstremit të djathtë në Finlandë komplotoi vrasjen e Sanna Marin ndërsa politikania 37-vjeçare po shërbente si kryeministre i vendit.

Katër burra janë në bankën e të akuzuarve në gjyqin që filloi në qytetin e Lahtit dhe po tërheq vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Tre prej tyre përballen me akuza të lidhura me terrorizmin dhe i katërti po ndiqet penalisht për armëmbajtje.

Sipas Daily Mail gjatë marrjes në pyetje një nga anëtarët e skuadrës u shpreh: “Arma FGC-9 ishte pranë meje dhe në më pak se 10 minuta mund të isha në marketin e Lahtit. Unë po flisja për këtë lloj gjëje në Telegram, se teorikisht do të ishte e mundur të vritet një figurë politike”.

FGC-9 është një armë gjysmë automatike PCC (Pistol Caliber Carbine) e printueshme 3D.

Ky i pandehur konkret pretendon se biseda për një sulm terrorist ishte teorike dhe ata nuk e kishin menduar, pasi nuk e zbatuan planin e tyre.

Ai i cilësoi bisedat në të cilat mori pjesë si “biseda normale” se sa lehtë dikush mund të vriste kreun e shtetit finlandez. Për të, ishte vetëm një mënyrë për të shfrehur dhe folur për përvoja interesante ekstreme.

Policia lokale thotë se katër burrat ishin ndjekës të lëvizjes “përshpejtimi”, një grup idesh që kërkojnë intensifikimin drastik të zhvillimit kapitalist dhe ndryshimeve teknologjike për të destabilizuar sistemet ekzistuese të pushtetit. Kjo ideologji është lidhur me një seri sulmesh vrastare në SHBA, duke përfshirë sulmin e vitit 2022 në Buffalo që vrau 10 civilë me ngjyrë.

Të pandehurit dyshohet se kishin prodhuar armë të printuara 3D. Në bastisjet në banesat e tyre, u gjetën lista të objektivave të mundshëm, duke përfshirë deputetë, përfaqësues të grupeve minoritare dhe aktivistë antifashistë.

I pyetur për “qëllimet” e tyre, njëri nga të akuzuarit është përgjigjur se i konsiderojnë armiq të nacionalistëve dhe burime të mundshme informacioni.


Shtuar 14.09.2023 10:39