Më 12 tetor seancë urgjente për Kosovën në Kuvendin e Shqipërisë

Akti terrorist, i ndodhur në 24 Shtator në Banjskë të Kosovës nga një grup paraushtarak serb, ku mbeti i vrarë efektivi i policisë, Afrim Bunjaku do të zbresë në Kuvendin e Shqipërisë në një seancë të posaçme në 12 Tetor.

Gazment Bardhi, në Konferencën e Kryetarëve, ka kërkuar mbajtjen e seancës urgjente në Kuvend për mocion me debat dhe miratimin e rezolutës për situatën në Kosovë.

Bardhi tha se është urgjente të zhvillohet mocion me debat.

“Është urgjente që të zhvillojmë mocionin me debat. Nuk mundet ne të jemi të fundit. PE e ka zhvilluar.”, tha Bardhi.

Ndërkohë, PS ka propozuar që rezoluta dhe mocioni me debat të mos jenë urgjente, ndërkohë Nikolla pranoi propozimin e Bardhit.

Bledi Çuçi: Të dalim me një rezolutë të përbashkët dhe të lëmë një seancë të posaçme të enjten që të diskutojmë këto rezoluta.

Gazment Bardhi: Do të bëhet çdo përpjekje që të arrijmë në një draft-rezolutë të përbashkët mes gjithë grupeve parlamentare. Republika e Shqipërisë do të duhet të jetë e unifikuar me Republikën e Kosovës.

Pavarësisht pikëtakimeve, duket se palët ndahen kur bëhet fjalë për kryerjen e hetimeve edhe nga ana e Serbisë.

Bledi Çuçi: Secili duhet të bëjë hetimet e veta, s’ka vetëm një hetim. Një hetim po e bën Kosova, një hetim duhet ta bëjë Serbia për çështjet që ka brenda shtetit të vet.

Gazment Bardhi: Duhet të ketë qenë një lapsus. Grupi parlamentar i PS duhet të tërhiqet që ne të pasqyrojmë qëndrimin e Serbisë në rezolutën tonë.

Tanimë në tryezën e grupit të punës ndodhen dy rezolutat e depozituara në Kuvend, nga demokratët e socialistët në të cilat dënohet sulmi terrorist i ndodhur në veri të Kosovës, e ku Serbisë i kërkohet të heqë dorë nga qëndrimet armiqësore dhe luftënxitëse, të dorëzojë kriminelët e përfshirë në ngjarjen e 24 Shtatorit, të vlerësohet puna e policisë së Kosovës dhe bashkëpunimi me KFOR-in si dhe të mbështeten institucionet e Kosovës./Albeu.com/


Shtuar 4.10.2023 19:09