McGonigal u lirua me kusht, gazetarja tregon detaje: Seanca zgjati vetëm 15 minuta

Gazetarja e “Zërit të Amerikës” Keida Kostreci ka treguar detaje në lidhje me seancën gjyqësore të ish-zyrtarit të FBI, Charles McGonigal, gjatë së cilës u dha vendimi për lirimin e tij me kusht.

Ajo ka deklaruar se seanca gjyqësore ishte e shkurtër dhe zgjati 15 minuta. Kostreci tha se në seancë ishte vetëm një i pandehur, pra McGonigal.

Pjesë nga biseda: 

Blendi Fevziu: Ka dalë në Gjykatën e Washingtonit sot dhe pritej që të shtyhej gjyqi?

Keida Kostreci: Dje u tha që mund të mbahej seanca gjyqësore në një ditë tjetër dhe jo sot. Pastaj pati një njoftim tjetër që seanca do të mbahej sot dhe ka përfunduar para 2 orësh. Ishte një seancë e shkurtër, 15 minuta, rutinë ku McGonigal e deklaroi veten të pafajshëm. Ishte një procedurë e shkurtuar, kjo ishte gjëja kryesore që doli nga kjo seancë. U tha se do të ketë një seancë tjetër në një kohë të dytë për të vazhduar me procedurën.

Blendi Fevziu: A është Agron Neza shqiptari që i ka dhënë atij 225 mijë Dollarë, por edhe para të tjera? A ka qenë ky personi që ka dëshmuar? Le të themi a është ai një dëshmitar i penduar?

Keida Kostreci: Nuk e dimë këtë. Nuk kemi të dhëna që të konfirmojmë një gjë të tillë.

Blendi Fevziu: Ju vazhdoni të keni të njëjtin informacion që nuk ka çështje të ngritur ndaj Nezës dhe Duçkës, apo jo?

Keida Kostreci: Seanca sot ishte pikërisht për këtë aktakuzë. Aktakuza ka vetëm 1 të pandehur dhe është McGonigal. Personi A dhe personi B që përmenden aty, përmenden në funksion të shkeljeve të këtij personi dhe në funksion të kësaj aktakuze që Departamenti i Drejtësisë ka ngritur ndaj ish-agjentit për shkeljet që ai ka bërë, për kontaktet dhe takimet që nuk ka raportuar dhe për përfitimet që mund të ketë pasur. /albeu.com


Shtuar 25.01.2023 22:51