Mbyten dy varka me emigrantë në brigjet e Lampeduses në Itali, mbi 30 të zhdukur

Dy varka me emigrantë janë përmbytur në brigjet e Lampedusës, Itali, ndërsa flitet për mbi 30 të zhdukur.

Rojet bregdetare kanë arritur të rikuperojnë dhe trupin e pajetë të një gruaje dhe një fëmije vetëm 1 vjeç e gjysëm.

Varka e parë kishte në bord 48 emigrantë, 45 prej të cilëve kanë arritur të shpëtohen dhe sipas dëshmive që ata i kanë treguar policisë, 3 persona janë të zhdukur nga kjo varkë Ndërkohë në varkën e dytë mendohet se kanë qenë 42 persona, 14 prej të cilëve kanë arritur të shpëtohen.

Varka e parë me 48 persona në bord ishte nisur nga porti i Sfax, 270 km në jug të Tunisit kryeqyteti i Tunizisë. Mendohet se është mbytur disa orë para se rojet bregdetare ti shkonin në ndihmë anijes e cila gjendej rreth 23 milje në jugperëndim të Lampedusës.

Të mbijetuarit treguan për tre persona të zhdukur: një grua dhe dy burra.

14 të mbijetuarit e varkës së dytë, e cila gjithashtu lundroi nga Sfax të enjten e kaluar, pretenduan se në varkë kishin qenë  42 prej tyre, ndaj 28 mungojnë në apel.


Shtuar 6.08.2023 11:05