Mbyllja e shkollës “Mehmet Akif”, reagon Rama: Luajnë rolin e viktimës së qeverisë, po përdorin fëmijët

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas vendimit të qeverisë për të mbyllur kolegjin turk “Mehmet Akif”. Në një shënim në rrjetet sociale, Rama shkruan se publiku është “bombarduar”, siç pretendon ai me lajme të rreme. Kreu i qeverisë thotë se është shitur godina dhe është hapur aktiviteti diku tjetër pa marrë leje në shkelje të ligjit.

Postimi i Edi Ramës në Twitter

“Pas çdo vendimi kërkohet një qëllim tjetër nga i vërteti dhe bombardohet publiku me lajme të rreme e me teori konspiracioni! S’ka asgjë të tillë dhe asnjë qëllim tjetër përveç zbatimit të barabartë të ligjit në rastin e heqjes së një liçence shkolle si plot të tjera më parë.

Të shesësh godinën ku ke lejen e aktivitetit shkollor dhe të hapësh aktivitetin diku tjetër, pa marrë lejen sipas ligjit, pa plotësuar kriteret e pa përmbushur standartet e kërkuara ligjërisht, është një shkelje për të cilën ligji parashikon heqjen e liçencës.

Përdorimi i fëmijëve pastaj  për të fshehur fajin karshi ligjit, prindërve dhe vetë nxënësve, duke luajtur rolin e viktimës së qeverisë, kur në fakt je verifikuar jo një po dy herë në shkelje, tregon ndërgjegje të ulët në raport me misionin e lartë të një vatre edukimi”, shkruan Rama.


Shtuar 23.09.2022 14:34