Mbyllja e papritur e Encrochat çoi në 6500 arrestime nga Europol, duke goditur në këtë mënyrë edhe grupin kriminal në Shqipëri ku u arrestuan Pëllumb Gjoka, Oltion Bistri, Xhevahir Lita etj.
Agjencia e Evropiane policisë Europol ka deklaruar se mbyllja Encrochat, një kompani e fshehtë që u ofronte kriminelëve komunikime të sigurta të koduara, çoi në më shumë se 6500 arrestime dhe sekuestrimin e 900 milionë eurove, asete të sekuestruara.
Sistemi kishte rreth 60,000 përdorues kur u mbyll papritur në qershor 2020, dhe Europol zbuloi në muajin pasardhës se zyrtarët e zbatimit të ligjit kishin përgjuar komunikimet e përdoruesve për muaj të tërë, shkruan Reuters.
Në një deklaratë për mediet, Europol prezantoi përmbledhjen e parë të rezultateve të bisedave, të cilat tha se kishin goditur grupet e krimit të organizuar në Evropë e më gjerë.
“Policia ka analizuar më shumë se 115 milionë “biseda kriminale”, tha Europol, duke ndihmuar në parandalimin e “sulmeve të dhunshme, tentativave për vrasje, korrupsionit dhe transportit të drogës në shkallë të gjerë”.
Agjencia tha se hetimet e nisura nga që nga rënia e Encrochat e deri më tani kanë çuar në sekuestrimin e 100 tonëve kokainë, 30 milionë pilula “drogë kimike”, gati një mijë automjete, qindra prona dhe dhjetëra varka dhe avionë.
Deklarata e policisë nuk dha detaje nëse vetë pronarët e Encrochat ishin arrestuar.
Rezultatet e pjesshme të hetimeve të lidhura me Encrochat janë shpallur më parë nga policia franceze, holandeze dhe britanike në vitin 2020 dhe nga policia gjermane në 2021.
Encrochat shiti pajisje celulare të modifikuara Android për rreth 1000 euro secila dhe u ngarkoi përdoruesve tarifa të majme abonimi me premtimin se komunikimi i tyre do të mbetej i koduar dhe sekret.
Ajo u mbyll papritur në qershor 2020 pasi operatorët e saj të paidentifikuar me sa duket e kuptuan se ishin komprometuar.
Europol tha se kompania kishte drejtuar komunikimet e koduara përmes serverëve në Francë.
“Përfundimisht, ishte e mundur të vendosej një pajisje teknike për të shkuar përtej teknikës së kriptimit dhe për të marrë akses në korrespondencën e përdoruesve,” tha Europol.