Mbyllja e Covid-2, Manastirliu: Nëse rriten rastet, spitali do të rihapet

Sot është mbyllur spitali Covid-2 “Shefqet Ndoqi” i cili tashmë do t’i kthehet funskionit të Sanatoriumit. Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, është shprehur se në rast të rritjes së infeksioneve, spitali do të hapet sërish.

“Spitali i rikthehet shërbimeve të veta rutinë, por nga ana tjetër vijon zhvillimin e projekteve të mëdha, sikurse ne e kemi thënë dhe kemi investuar për shërbimin e ri të kardiokirurgjisë. Dua të siguroj të gjithë qytetarët që pavarësisht faktit për të mbyllur spitalin “Shefqet Ndroqi” si spital që trajton rastet Covid kjo nuk do të thotë që harmonizimi i shërbimeve nuk do të jetë funksional për ato raste që do të kërkojnë trajtim të specializuar për rastet post Covid.

Ajo çfarë na ka mësuar situata e pandemisë është që tashmë duhet të fillojmë të harmonizojmë  shërbimet tona në funksion edhe të impaktit që vetë Covid-19 ka lënë. Pavarësisht faktit që mbyllëm tre spitalet rajonale COVID  dhe tashmë po mbyllim si spital Covid spitalin “Shefqet Ndroqi” nuk do të thotë se nuk do të jemi në gjendje gatishmërie.

Gjendja e gatishmërisë do të jetë, nëse do të kemi shtim të rasteve apo do të kemi nevojë për ta rihapur këtë spital si spital që ti shërbejë pacientëve me COVID, ne tashmë kemi eksperiencën dhe të gjithë mundësinë për tu rikthyer në skenarët që mund të na implikojë një situatë ku mund të ketë një shtim të rasteve për trajtim në këtë spital”, tha  Manastirliu./albeu.com

 


Shtuar 2.06.2021 14:09