Mbyllen klubet, restorantet dhe dasmat deri në ora 22:30, masat që pritet të miratohen

Pas rritjes së numrit me raste të COVID-19 në Kosovë, pritet të merren masat e reja.

Sot në Kosovë janë shënuar një mijë e 765 raste pozitive në Kosovë dhe pesë raste të vdekjes.

Pas kësaj rritje të rasteve, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, do të mbajë konferencë për medie në 19:30, ku pritet të merren masat e reja.

Përfaqësuesi i estradës në Odën e Hotelierisë dhe Turizmit, këngëtari Afrim Muçiqi, për lajmi.net ka konfirmuar se pas takimit që kishin me përfaqësuesit e Ministrisë së Shëndetësisë, do të merren disa vendime.

Ai për lajmi.net mohoi se do të anulohen dasmat, por tha se nga 20 gushti, ato do të organizohen me 150 persona dhe do të mbahen deri në orën 22:30, gastronomia do të punojë deri në ora 22:30 ndërsa klubet e natës do të mbyllen deri më 1 shtator.

“Jo, nuk është e vërtetë që do të anulohen, sa e përfundova takimin me Ministrinë dhe përfaqësuesin e odës gastronomike, dasmat do të mbahen me kapacitet deri 150 persona dhe do të punojnë deri në orën 22:30, gjithashtu edhe gastronomia do të punojë deri 22:30, ndërsa klubet e natës do të mbyllen deri më 1 shtator”, tha ai.


Shtuar 17.08.2021 19:38