Mbushen sheshet, Gjeorgjia kërkon anëtarësimin e BE

Dhjetëra e mijëra gjeorgjianë mbushën sot sheshet, duke kërkuar anëtarësimin ish-republikës sovjetike të Kaukazit në Bashkimin Evropian.

Duke mbajtur flamuj evropianë dhe gjeorgjianë, rreth 60,000 protestues, sipas Agjencisë Franceze, u mblodhën jashtë parlamentit, disa ditë pasi Komisioni Evropian sugjeroi që Gjeorgjisë të mos i jepet ende statusi i kandidatit.

Shumë organizata pro-evropiane dhe të gjitha partitë opozitare u kanë bërë thirrje mbështetësve të tyre që t’i bashkohen këtij “marshimi për Evropën” për të “demonstruar përkushtimin e popullit gjeorgjian ndaj vlerave perëndimore”.

“Evropa është një zgjedhje historike dhe një ambicie për gjeorgjianët, për të cilët të gjithë brezat kanë bërë sakrifica”, thanë organizatorët në një deklaratë.