Ditën e djeshme, u nda nga jeta në moshën 74-vjeçare pas një beteje me një sëmundje të rëndë, ‘Mbretëresha e valles shqiptare’ Liljana Cingu.
Mjeshtrja e madhe’, ‘Nderi i Kombit’ solistja “mbretëreshë” e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, Lili Cingu, u shua mbrëmjen e 5 Shkurtit në moshën 73-vjeçare, pas betejës me një sëmundje të rëndë.
Homazhet për artisten e ndjerë, do të mbahen sot në orën 10:00 në hollin kryesor të Teatrit të Operës dhe Baletit.
Javën e fundit gjendja e valltares “shtojzovalle” u përkeqësua dhe fatkeqësisht kaloi në gjendje kome, derisa zemra e saj pushoi së rrahuri, ndërsa emri i saj do të mbetet i skalitur në historinë e valles shqipe. Mbi 200 valle të kërcyera prej saj, për Liljana Cingun u nis të flitet që në adoleshencë, si një talent i rrallë.
Liliana Cingu, u angazhua që në moshën 12-vjeçare në Pallatin e Pionerëve, ndërsa në moshën 16-vjeçare ajo u rendit mes profesionistëve në Ansambël.
Besim Zekthi e Zoica Haxho, ishin ndër të parët që e inspiruan, e më pas ndanë skenën me të.
Ndër daljet e fundit në skenë, veçonte recitalin e fundit me të madhin, Rexhep Çelikun dhe artistët e tjerë 13 vjet më parë.
Liljana Cingu përshkroi të gjithë shqiptarinë në valle nga ”,“Festë të madhe ka sot Shqipëria”, “Komitët e Lirisë”, “Oshëtima e maleve”, “Dasma e Rugovës”, ndër kërcimet e saj më të adhuruara ishte “Luftëtarët e lirisë” me heronjtë Azem Galica dhe Shote Galica.
Gjatë trazirave në Shqipëri, në ’97-ën, Cingu u zhvendos për disa vjet në Kanada, por edhe jashtë vendit, (gjithashtu u angazhua me vallen në Amerikë) ajo çoi bukurinë e valleve shqipe, duke punuar me të rinj të talentuar.
E konsideruar si “Perëndesha e valleve”, Cingu ishte gjithashtu një zë kritik, për investimin e nevojshëm tek artistët e Ansamblit, me shqetësimin që të përçohej tradita e vendit tonë dhe angazhimin për t’u trashëguar brezave vallen e bukur shqipe.