Mbrëmja gala “Yjet e Sportit”: Paradë kampionësh dhe nderime nga Abakarov te Luiza Gega e Silvinjo

Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar ka organizuar sot mbrëmjen gala “Yjet e Sportit 2022-2023” ku kanë marrë pjesë figurat më të spikatura të sportit shqiptar, por edhe përfaqësuesit më të lartë të qeverisë, duke filluar nga kryeministri Edi Rama.

Në këtë mbrëmje gala, u nderuan me çmime disa nga emrat e njohura të sportit shqiptar, duke kujtuar arritjet e tyre të jashtëzakonshme gjatë kësaj periudhe.

Zelimkhan Abakariov dhe Islam Dudaev u nderuan të parët me trofeun që iu dorëzua nga Sahit Prizreni.

Më pas radhën e kishte Briken Calja të nderohej nga ish-peshëngritësi i njohur Luan Shabani.

Një trofe u dha edhe për përfaqësuesit e ekipeve fituese të basketbollit për kampionatet e shkollave 9-vjerçare dhe të mesme nga legjenda e basketbollit shqiptar, Gazmend Çaçi.

Radhën më pas e kishte edhe trajneri i Kombëtares së futbollit, Silvinjo, të cilit trofeun ia dorëzoi kryeministri Edi Rama.

Kampionia e bodybilding, Gentiana Beqa, mori trofeun nga kampioni i parë i këtij sporti në Shqipëri, Rando Kukeli.

Gjimnasti Matvei Petrov dhe trajneri i tij, Alon Hasa, u nderuan me çmim nga Ferdinand Mara.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu i dorëzoi trofeun medalistëve të Lojërave Olimpike Speciale, Gersi Troka dhe Adi Sula.

Trajneri i boksit, Sead Bushati, i dorëzoi trofeun sportistit Alban Beqiri.

Ish-presidenti i Federatës së Atletikës, Gjergj Ruli, ishte ai i cili dorëzoi trofeun Izmir Smajlajt.

Sekretari i përgjithshëm i Komiteti Olimpik Europian, Rafaele Panjosi, i dorëzoi një trofe nënkryetares së Bashkisë së Tiranës, Keti Luarasi.

Eklent Kaçi, kampion bote në bilardo, u nderua nga mjeshtri Roland Panozaqi.

Sigurisht, nuk mund të mungonte një trofe edhe për Luiza Gegën, e cila u nderua nga Mjeshtrja e Madhe e Sportit, Pavlina Evro.

Kampionët e skuadrave të 9-vjeçareve dhe të mesmeve që fituan kampionatet kombëtare të volejbollit, u nderuan nga Ela Tase.

Elez Gjoza ishte ai i cili i dorëzoi trofeun kampionit të peshëngritjes, Erkand Qerimajt.

Xhudoka Infrit Çullhaj dhe trajneri i tij, Shkurt Çullhaj, u nderuan nga kampioni i xhudos, Ylli Ujkaj.

Kampioni i karatesë, Alvin Karaqi, ishte ai i cili u nderua nga emri i njohur i karatesë në botë, Enver Idrizi.

Trajneri i atletikës, Taulant Stërmasi, u nderua me trofe nga mjeshtri i madh, Aziz Ruli.

Ernest Merdanaj dhe Juirdo Cani morën trofe për sportin e Taekwondo nga mjeshtri ndërkombëtar i karatesë, Enver Cakiqi.


Shtuar 16.12.2023 21:19