Policia e Shtetit nuk ka ngurruar të thirrë në një takim falenderues strukturat e Policisë, të cilat ndihmuan në zbardhjen e e vrasjes së Behar Sofisë.
Edhe pse vetëm një person ka pranuar autorësinë e ngjarjes, duket se Veliut i ka dalë koha që të organizojë të tilla takime ku vihet theksi te puna e mirë e Policisë.
“E ndjej detyrim moral, por edhe përgjegjësi, që si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit t’ju falënderoj dhe t’ju inkurajoj për punën e jashtëzakonshme profesionale, por edhe angazhimin fizik, pasi për 15 ditë rresht të gjithë ju keni punuar minimalisht 16 deri në 20 orë në ditë. Puna në grup, koordinimi i veprimeve, shkëmbimi i informacioneve dhe besueshmëria mes strukturave ka funksionuar maksimalisht, duke çuar në rezultatin final zbardhjen e ngjarjes, identifikimin, lokalizimin dhe kapjen e 4 vrasësve me pagesë.-tha Veliu.
Njoftimi i Plotë
Zbardhja e vrasjes së fundit në Tiranë, Drejtor Veliu falënderon strukturat policore për përkushtimin dhe punën profesionale që çuan në finalizimin e operacionit policor “Piramida”, si rezultat i të cilit u vu në pranga një grup vrasësish me pagesë.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, mesditën e sotme, ka thirrur në një takim falënderues, përfaqësuesit e strukturave që u angazhuan maksimalisht për zbardhjen e ngjarjes kriminale të ndodhur në 25 shkurt 2021, në Tiranë.
Në prani të zv/drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtorit të Departamentit të Policisë Kriminale, Drejtorit të Drejtorisë për Krimet e Rënda, Drejtorit Vendor të Policisë Tiranë, përfaqësuesve të Sektorit Kundër Krimeve ndaj Personit në DVP Tiranë, përfaqësuesve të Institutit të Policisë Shkencore dhe të Repartit të FNSH Tiranë, Veliu ka vlerësuar maksimalisht punën e bërë dhe profesionalizmin e treguar për zbardhjen e vrasjes të shtetasit Behar Sofia.
Veliu: “E ndjej detyrim moral, por edhe përgjegjësi, që si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit t’ju falënderoj dhe t’ju inkurajoj për punën e jashtëzakonshme profesionale, por edhe angazhimin fizik, pasi për 15 ditë rresht të gjithë ju keni punuar minimalisht 16 deri në 20 orë në ditë. Puna në grup, koordinimi i veprimeve, shkëmbimi i informacioneve dhe besueshmëria mes strukturave ka funksionuar maksimalisht, duke çuar në rezultatin final zbardhjen e ngjarjes, identifikimin, lokalizimin dhe kapjen e 4 vrasësve me pagesë.
Nëpërmjet jush, duke marrë si pikë referimi të gjithë elementët e funksionimit gjatë punës voluminoze 15-ditore, dua të inkurajoj të gjithë strukturat e Policisë së Shtetit që modele të tilla bashkëpunimi, koordinimi e profesionalizmi të jenë sa më shumë, pasi zbardhja e çdo ngjarjeje kriminale, së pari çon në parandalimin e ngjarjeve të tjera dhe së dyti rrit besimin e qytetarëve te Policia, që është shumë i nevojshëm në përmbushjen sa më mirë të detyrave funksionale gjatë punës sonë.
Njëkohësisht, i kam përcjellë kolegëve të Malit të Zi, falënderimet më të sinqerta, pasi në rast se nuk do të kishim gjetur gatishmërinë dhe dashamirësinë e kolegëve tanë në Malin e Zi, nuk do të kishim bërë dot të mundur kapjen e autorit kryesor të ngjarjes, i cili fshihej në Malin e Zi. Shkëmbimi i informacionit mes nesh dhe Policisë malazeze, angazhimi serioz i tyre bëri të mundur që edhe kjo fazë e operacionit të përmbyllej me sukses”. /albeu.com/