Mbi 500 banorë të helmuar në Krujë, reagon Prokuroria: Hetimet kanë nisur, po kryhen analizat e ujit të pijshëm

Në Krujë, prej ditës së dielë, më shumë se 500 banorë janë paraqitur në spital për të marrë ndihmë mjekësore pasi kanë shfaqur simptoma helmimi. Ndërsa akoma vijojnë të paraqiten në spital qytetarë të helmuar, ka reaguar Prokuroria e Krujës përmes një shkrese zyrtare.

Prokuroria njofton se hetimet për gjetjen e shkakut të helmimit kanë nisur, ndërsa thekson se janë duke u kryer hetime në drejtim të analizave fiziko-kimike dhe bakteriale të ujit të pijshëm që furnizon qytetin e Krujës.

Më tej në reagim, Prokurora thotë se aktualisht janë në pritje të përgjigjes së analizave.

Reagimi i Prokurorisë Krujë:

Në lidhje me ngjarjen e datës 25.10.2021, ku pranë Spitalit “Stefan Gjoni” të qytetit të Krujës  janë paraqitur me shenja helmimi një numër i konsiderueshëm banorësh të këtij qyteti, duke qenë se kjo ngjarje paraqet interes për opinionin publik, bazuar në ligjin nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”

JU INFORMOJMË SE :

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Krujë, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë së Shtetit, në lidhje me këtë ngjarje ka nisur kryesisht hetimet për veprën penale “Ndotja e ajrit, e ujërave dhe e tokës” me pasojë dëmtimin e shëndetit të personave, e parashikuar nga neni 201 pg. 3, i Kodit Penal.

Hetimet në lidhje me këtë ngjarje janë duke u kryer në drejtim të zbulimit të shkaqeve që kanë çuar në helmimin e banorëve, si dhe individualizimin e përgjegjësive penale për personat përgjegjës.

Për këtë qëllim, është urdhëruar kryerja e akteve të ekspertimit mjeko – ligjor për të përcaktuar se cili ka qenë shkaku i helmimit të banorëve. Janë duke u kryer hetime në drejtim të analizave fiziko-kimike dhe bakteriale të ujit të pijshëm që furnizon qytetin e Krujës, si dhe veprime të tjera hetimore për zbardhjen e të gjitha rrethanave në lidhje me këtë ngjarje.

Aktualisht jemi në pritje të përgjigjeve të akteve të ekspertimit si më sipër.

 


Shtuar 27.10.2021 11:12