Mbi 1100 masa, policia “fundos” shoferët e pabindur në rrugët e Elbasanit

Një sërë gjobash dhe masa të tjera administrative janë vendosur për shoferët në rrugën e Elbasanit.

Masat janë marrë në kuadër të planit për parandalimin e aksidenteve rrugore, ku policia ka shtuar kontrollet në qytetin e Elbasanit, teksa janë vendosur 1194 masa administrative.

Gjithashtu bëhet me dije se janë pezulluar 11 leje drejtimi 7 për drejtim automjeti, nën ndikimin e alkoolit dhe 4 për shpejtësi tej normave të lejuara.

Policia Rrugore i bën thirrje drejtuesve të mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit dhe fton qytetarët të denoncojnë në komisariatin digjital nëse evidentoj në shkelje.

Njoftimi i Policisë:

Vijojnë kontrollet nga Policia Rrugore, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe ndërgjegjësimin e përdoruesve të rrugës, për zbatimin me rigorozitet të rregullave të qarkullimit rrugor.

Gjatë kontrolleve janë ndaluar 7 drejtues automjetesh, nga të cilët 3 janë arrestuar, ndërsa 4 janë proceduar në gjendje të lirë, për veprat penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Janë pezulluar 11 leje drejtimi, nga të cilat 7 për drejtim automjeti, nën ndikimin e alkoolit dhe 4 për shpejtësi tej normave të lejuara.

Janë vendosur 1194 masa administrative, konkretisht:

338 masa për parakalime të gabuara;

67 masa për mosvendosjen e rripit të sigurimit;

28 masa për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit:

26 masa për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse;

372 masa për tejkalim shpejtësie;

5 masa për drejtim mjeti, nën efektin e alkoolit;

358 masa për shkelje të rregullave të tjera të Kodit Rrugor, të cilat janë burim aksidenti.

Kontrollet do të vazhdojnë çdo ditë, me qëllimin e vetëm, parandalimin e ngjarjeve rrugore me pasoja për jetën e përdoruesve të rrugës.

Policia Rrugore e Elbasanit falënderon drejtuesit e mjeteve dhe këmbësorët që respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe fton të gjithë qytetarët që të denoncojnë në 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo rast të shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor, duke u garantuar reagim të shpejtë.