Mbërrijnë në Kosovë trupat e viktimave të aksidentit tragjik në Kroaci

Kanë arritur në Kosovë trupat e dhjetë viktimave të aksidentit tragjik në Slavonski Brod të Kroacisë.

Sjellja e trupave të viktimave është bërë me tri makina, nën shoqërimin e policisë.

Në pikën kufitare janë parë edhe Ambasadori i Kosovës në Shqipër, Nait Hasani dhe ai i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.

Përveç tyre, viktimat kanë dalur që t’i nderojnë edhe shumë qytetarë. Prej kompanisë që po e kryen transportin kanë deklaruar se këtë po e bëjnë vullnetarisht.

“Gjithë përgatitjet janë bërë nga kompania. Ne e kemi kry transportin vullnetarisht”, ka deklaruar një prej përfaqësuesve të kompanisë.

Varrimi i viktimave pritet të bëhet në orët e pasditës.

Ndryshe, dhjetë veta me prejardhje nga Kosova humbën jetën, kur autobusi me të cilin udhëtonin, nga Frankfurti për në Prishtinë, doli nga rruga në qytetin Sllavonski Brod. Autobusi me targa të Kosovës po transportonte 67 pasagjerë.

Shoferi u ndalua nga autoritetet kroate në vendin e ngjarjes, ndërsa të martën atij iu caktua masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Të martën mbrëma, në Kosovë arritën 21 të mbijetuar të aksidentit.

Ata u pritën në aeroportin në Prishtinë nga udhëheqësit e shtetit të Kosovës, ndërsa më pas u shoqëruan nga familjarët e tyre./Gazeta Express


Shtuar 28.07.2021 13:43