Rreth 20 mijë maturantë patën kohë deri më 3 gusht që të përzgjidhnin 10 nga programet e studimit që ata preferojnë të vazhdojnë.
Por, ndryshe nga vitet e kaluara ku degët e Mjekësisë kanë qenë më të lakmuara, këtë vit të ri akademik Informatika dhe Inxhinieritë janë fushat më të zgjedhura nga maturantët të cilët prej tetorit do të marrin statusin e studentit.
Mësohet se 30% e maturantëve kanë përzgjedhur degët e Informatikës dhe Inxhinierisë, ndërsa vetëm 17% prej tyre kanë përzgjedhur ato të Mjekësisë.
Ajo që mund të thuhet me bindje të plotë është fakti se të rinjtë çdo vit dhe më tepër i kanë sytë nga Teknologjia e Informacionit dhe Inxhinieritë.
Kjo prirje e të rinjve drejt këtyre degëve, reflekton zhvillimet globale të tregut të punës dhe rritjen e kërkesës për profesionistë në fushat teknologjike dhe inxhinierike, duke i bërë këto degë jo vetëm të preferuara, por edhe më të leverdishme për të ardhmen.