Gjykata e Fierit ka vendosur të dënojë me 16 vite e 8 muaj burg, 74 vjeçarin Leonidha Rapushi, i cili u arrestua një vit më parë për përdhunimin e një të miture.
Prokurori i çështjes Petrit Vukaj, kërkoi dënimin me 25 vite burgim, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, autori i krimit përfitoi uljen e dënimit në masën e 1/3-ve, duke u dënuar përfundimisht me 16 vite e 8 muaj burgim.
Vendimi është dhënë nga gjykata e Fierit, e cila e gjeti fajtor Rapushin si person që kishte abuzuar seksualisht me minorenen me inicialet R.B.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në zonën e Fierit, ku pas kallëzimit të nënës së vajzës në muajin Prill 2020, është vendosur nisja e hetimeve dhe arrestimi i Leonidha Rapushit.
Nëna e vajzës së mitur ka treguar se qysh prej muajit Mars 2019, ishte vënë në dijeni se komshiu i tyre Leonidha, i ngacmonte vajzën e saj.
Veç këtyre ngacmimeve, Rapushi i shkonte vajzës në ambjentet e shkollës, e për pasojë kjo situatë ka filluar të mësohet dhe nga persona të tjerë, mes të cilëve ka qënë dhe gjyshja e vajzës së vogël.
Gjyshja, kishte vënë re që Leonidha, i dhuronte mbesës çokollata herë pas here, në mënyrë që ta afronte dhe ta mbante pranë atë.
Për muaj të tërë ka vijuar dhunimi i të miturës. Për të vërtetuar historinë e të miturës, gjyshja i ka dhënë idenë që ajo të bënte një video-përgjim, i cili është marrë si provë nga hetuesit e çështjes dhe është përdorur në gjykimin kundër Leonidha Rapushit.
I vënë përballë dëshmisë dhe video-përgjimit, i moshuari ka mohuar kategorikisht që të ketë dhunuar të miturën. Ka qënë psikologia e shkollës, ajo që ka zbuluar gjithçka dhe më pas së bashkë me nënën dhe 9-vjeçaren kanë shkuar në Policinë e Fierit, për të denoncuar të moshuarin.