Gjykata e Tiranës, ka dënuar me dy vite burg Ermes Hoxhallin, i cili premtonte bursa studimi falas dhe udhëtime në Shtetet e Bashkuara, duke mashtruar zyrtarë të ministrisë së Arsimit nëpërmjet falsifikimit.
Hoxhalli u dënua për falsifikim dokumentash dhe falsifikim kompjuterik, teksa përfitoi zbritjen e 1/3 së dënimit për shkak të gjykimit të shktuar, dhe përfundimisht do të vuajë 1 vit e 4 muaj burg.
I riu krijoi një identitet të rremë si Klea Rama, ku prezantohej si mbesa e kryeministrit Edi Rama, duke u hequr si një diplomate të lartë e Ambasadës.
Ai pretendonte se ishte udhëheqës i një projekti për të rinjtë dhe 19 certifikata pjesëmarrjeje për nxënës dhe të paktën një mësues të shkollës së Mesme “Ali Demi”, Vlorë.
“Nëpërmjet identitetit të krijuar si Klea Rama, pretendoi se ishte iniciator i projektit “Let’s talk together aboutUS’24” që mbulon Shqipërinë dhe ka për qëllim informimin e studenteve shqiptarë rreth studimeve në Shtetet e Bashkuara, për t’i aktivizuar ata në këto projekte dhe mbështetur disa me shuma financiare nëse kalojnë vlerësimet në kolegje Amerikane”, tha organi hetues.
Dokumentet e falsifikuara si certifikatat, vulat, firmat, logot, foto dhe videot e këqyrura dhe të sekuestruara nga Prokuroria Tiranë gjatë hetimeve mbi këtë procedim penal, iu gjetën shtetasit Ermes Hoxhalli në laptopin e tij dhe aparatët celularë.
Po aty, u gjet edhe adresa e e-mailit [email protected] me të cilën komunikonte me zyrtarë të Ministrisë së Arsimit.
I riu akuzohet për “Falsifikim kompjuterik” dhe “Falsifikimi i dokumentave”. Ky personazh, arriti të depërtonte në Ministrinë e Arsimit, teksa ishin shërbimet e Ambasadës Amerikane që ngritën alarmin.