Aksidentet rrugore kanë pësuar një trend në rritje në vendin tonë duke lënë pas viktima dhe të plagosur. Shkqet janë të ndryshme duke filluar që nga infrastruktura rrugore, mungesa e sinjalistikës dhe deri te mosrespektimi i rregullave nga shoferët.
Rasti i fundit vjen nga Farka.
Përmes një vëzhgimi në Unazën e Madhe Lindore në Farkë që të çon te mbikalimi i TEG-ut, një aks problematik, u konstatua se shoferët nuk janë ndërgjegjësuar edhe pse në të njëtin vend ndodhi aksidenti tragjik i 9 marsit që i mori jetën tre të rinjve.
Një makinë luksoze tip “Maserati” kaloi me shpejtësi skëterrë tej normave të lejuara. Shërbimet e policisë rrugore menjëherë filluan ndjekjen e mjetit dhe pas pak minutash arritën që ta ndalonin.
Siç duket edhe nga pamjet shpejtësia e mjetit është tej normave të lejuara, madje bën edhe manovra gjatë lëvizjes deri në momentin që ndalohet nga policia.
Drejtuesi i “Maseratit” gjobitet për “mosrregullim shpejtësie”, i pezullohet leja e drejtimit, si dhe i bllokohet automjeti pasi ishte debitor edhe me disa masa të marra më parë.
Automjeti u dërgua në komisariatin e policisë rrugore në Tiranë në pikën e bllokimit./Albeu.com/