Pas qarkullimit të lajmit në disa media për lëshimin e 19 masave të sigurisë, përfshirë kryebashkiakun Veliaj, si dhe arrestimin e disa funksionarëve të Bashkisë Tiranë, ka reaguar edhe Prokuroria e Posaçme.
Përmes një njoftimi për mediat, SPAK ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë operacion gjatë natës, duke kërkuar që të shmangen spekulimet.
Prokuroria e Posaçme, shprehet se po vijon një sërë hetimesh për të luftuar korrupsionin.
Njoftimi:
“Më lejoni t’ju informoj lidhur me lajmet e publikuara dje në disa nga mediat:
SPAK po vijon një sërë hetimesh për të luftuar korrupsionin dhe mbrojtjen e publikut. Nuk ka pasur asnjë operacion brenda natës dhe ju kërkojmë me mirësjellje të shmangin spekulimet që mund të dëmtojnë punën tonë.
Në momentin që do të kemi njoftime për të ndarë me median padyshim do të viheni në dijeni”, informon SPAK.
Mbrëmë vonë u përhapën lajme për “Zhvillime të rëndësishme”, dhe se Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kishte dhënë 19 masa sigurie, përfshirë kryebashkiakun Veliaj, përkatësisht arrest shtëpie, por edhe arrest me burg bëjnë pjesë politikanë dhe njerëz të tjerë të rëndësishëm, sërish në kuadër të dosjes së Inceneratorit të Tiranës.