Masakra e Andravidës vijon të tronditë. Grupi hetimor vijon të nxjerrë detaje nga dëshmitë e autorit të krimit të katërfishtë, i cili herë pas here fsheh të dhëna nga ajo që ka kryer!
Referuar të dhënave që kanë dalë nga grupi hetimor, mësohet se vrasësi ka thënë në seancën paraprake në Gjykatë se nuk e kishte planifikuar vrasjen, duke dashur të heq akuzën e vrasjes me paramendim. Prokurori e ka kundërshtuar këtë fakt, pasi sipas tij, ai ka pasur të planifikuar jo vetëm vrasjen, por edhe fshehjen e kufomave.
Gjithashtu, vrasësi i ka thënë gjykatësit se s’do ta kujtojë vrasjen e fëmijëve, duke iu shmangur mënyrës se si ua ka marrë jetën. Ai ka thënë se do të fliste njëherë tjetër në lidhje me këtë fakt, ndërsa për çiftin ka thënë se i vrava se nuk më kishin paguar qiranë.
Edhe këtë fakt prokurori e ka hedhur poshtë, pasi familja shqiptare ka pasur kontratë deri në fund të muajit, ndërkohë që vrasësi duke menduar se do i merrnin shtëpinë iu kishte prerë fillimisht ujin dhe më pas edhe energjinë elektrike. Mediat greke kanë fajësuar më në fund shtetin e tyre që e kanë lënë për gjithë këto vite pa e ndëshkuar autorin, që e kanë quajtur edhe kasap.
Rindërtimi i skenës horror
Duke u bazuar në dëshminë e tij, ndonëse ende jo bindëse, grupi hetimor ka rindërtuar skenën e vrasjeve të tmerrshme të katër pjesëtarëve të familjes shqiptare. Sipas të dhënave që vijnë nga mediat e vendit fqinjë, mësohet se greku ka hyrë në shtëpinë e familjes shqiptare nga dera e magazinës.
Aty ka lënë një tip karroce që më pas do të futej në makinën e tij. Ka hyrë nga pas në shtëpi dhe ka parë që çifti ishte në gjumë. Për fatin e keq të tyre, djali i madh i Maries kishte dalë me shokët e tij dhe nuk gjendej në shtëpi në atë orë. Ka shtyrë derën e dhomës së gjumit me kujdes, ka qëlluar nga afër me plumb në kokë Armandon, të parin.
Më pas, ka marrë një jastëk dhe ka qëlluar edhe Marinë, duke mos i lënë asnjë mundësi lëvizjeje. Në dalje, për t’u siguruar i ka dhënë edhe një plumb tjetër Armandos. Më pas, ka dalë në pjesën tjetër të shtëpisë, ku kanë qenë dy vogëlushët. Se çfarë ka ndodhur me ta, ai ka refuzuar t’ia thotë Policisë, Prokurorisë dhe gjyqtarit.
Mbase do të rrëfehet në daljen tjetër që do ta ketë sot pasdreke në Gjykatë, ku pritet të rrëfehet për gjithçka ka ndodhur. Në fakt, as shefja e Mjekësisë Ligjore nuk ka mundur ta përcaktojë mënyrën se si monstra ka arritur t’ua marrë jetën fëmijëve, por është faktuar që vdekja iu ka ardhur nga bllokimi i frymëmarrjes, shkruan panorama.
Tentativa për fshehjen e trupave
Pronari grek i shtëpisë bëhet me dije se i ka tërhequr trupat e Armandos dhe të Marias zvarrë nga dhoma e gjumit deri në magazinë. Aty i ka ngarkuar në karrocerinë e makinës. Është kthyer në shtëpi, nga e njëjta derë e pasme e banesës dhe ka marrë djalin e madh të pajetë, Arlindin dhe e ka ngarkuar në të njëjtin vend.
Në atë moment, ka mbërritur në shtëpi djali i madh bashkë me dy shokët e tij, i ka ra derës së jashtme, që është në anën ballore të rrugës, por nuk iu ka hapur. Më pas, i ka thërritur së ëmës: Mami, ma hap derën, në gjuhën greke! Në atë moment vrasësi ka dëgjuar se djali iu ka thënë shokëve se ka ndodhur diçka se nuk ka mundësi që mami ta ketë mbyllur derën. Dhe djali ka hyrë nga dritarja në banesë.
Aty është përballur në krevat me vëllanë e vogël, Elisin. Ka parë gjak nëpër shtëpi dhe ka marrë trupin e djalit 1 vjeç e gjysmë, ka dalë në rrugë dhe është nisur në drejtim të kishës, duke ulëritur dhe kërkuar ndihmë. Vrasësi i ka braktisur kufomat në karroceri dhe është larguar nga pas shtëpisë, një rrugë që e lidhte me banesën e tij, një vilë prej rreth 500 m2 .
Ai ka dëgjuar zhurmën e disa personash dhe ndaj e ka pasur të pamundur të kthehet, pasi e ka ditur se fëmijët ishin të mëdhenj dhe se nuk do të mund ta çonte më tej masakrën e tij. Prokurori e ka pyetur se ku kishte në mend t’i çonte kufomat, por ai nuk ka treguar.
Ekspertët kanë dhënë dy versione në lidhje me çmendurinë e tij, ose hedhjen në ujë ose groposjen diku në ndonjë pyll ku mos të gjendeshin më. Dhe kjo ka qenë pika në të cilën hetuesit kanë krijuar dyshime të arsyeshme se greku e ka pasur të planifikuar jo vetëm vrasjen, por edhe zhdukjen e kufomave./Syri.net/