Masakra në Tiranë, policia gjen 16 gëzhoja në vendngjarje

Autorët e atentatit mafioz një natë më parë në zonën e Don Boskos në Tiranë kanë qëlluar me breshëri plumbash në drejtim të lokalit në pronësi të Fatjon Muratit.

Burime bëjnë me dije se në vendin e ngjarjes, policia ka gjetur 16 gëzhoja plumbash të qitura nga armët e autorëve.

Ata kanë qenë duke lëvizur me një makinë. Dy prej tyre kanë zbritur nga makina duke hapur zjarr me breshëri në drejtim të lokalit.

Pas kësaj autorët kanë hipur në automjet dhe janë larguar me shpejtësi në drejtim të spitalit ushtarak, kanë vazhduar në autostradën Tiranë – Durrës, kanë devijuar rrugën në mbikalimin e Vorës dhe kanë djegur automjetin në fshatin Likmetaj.

Në momentin e atentatit mbeti e vrarë gabimisht banakierja e lokalit Mimoza Paja, ndërkohë që u plagosën 5 persona të tjerë.


Shtuar 13.03.2023 23:32