Masakra në lokalin në Prishtinë, ndërron jetë një nga të lënduarit, si u plagosën 21 persona me armë e me gota dhe shishe

Ka vdekur një nga personat e lënduar nga të shtënat me armë mbrëmë në lokalin “Bon Vivant”, në Prishtinë, raporton Express.

Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar doktori Shaqir Uka nga Klinika Intensive, i cili tha se bëhet fjalë për një 39-vjeçar.

“Po, ka vdekur një prej personave të plagosur mbrëmë, një 39-vjeçar. Ai ishte nën kujdesin intensiv kishte intervenim kirurgjik por për shkak të lëndimeve të mëdha, fatkeqësisht ka vdekur në orët e hershme të mëngjesit të sotëm”, ka thënë Uka për Express.

Ndryshe, 21 persona kanë mbetur të lënduar pas të shtënave me armë zjarri në një lokal në qendër të Prishtinës, katër prej të cilëve nga arma e zjarrit. Rasti raportohet të ketë ndodhur pas një mosmarrëveshje.

Përmes raportit 24 orësh, Policia ka bërë me dije se 17 persona, tre burra dhe 14 gra, kanë marrë lëndime si pasojë e thyerjes së gotave-shisheve të qelqit.

Sipas Policisë, katër të dyshuarit mbeten të hospitalizuar në QKUK dhe me vendim të prokurorit ndalohen (nën përkujdesje të policisë), derisa një i dyshuar tjetër gjendet në arrati.

“Rr. Xheladin Hana, Prishtinë 04.08.2023-20:17. Dyshohet se pas një mosmarrëveshje në një lokal, në mes të disa të dyshuarve meshkuj kosovarë, janë përdorur edhe armë zjarri (të shtëna me armë zjarri), si pasojë e kësaj lëndime trupore kanë pësuar katër të dyshuar meshkuj kosovarë (nga arma e zjarrit), ndërsa si pasojë e thyerjeve të gotave–shisheve të qelqit lëndime kanë pësuar 17 persona, prej tyre tre meshkuj dhe 14 femra. Katër të dyshuarit mbeten të hospitalizuar në QKUK dhe me vendim të prokurorit ndalohen (nën përkujdesje të policisë). Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësit relevante policore dhe njësia K-9, në vend-ngjarje janë gjetur katër gëzhoja dhe njolla gjaku. Një i dyshuar mashkull gjendet në arrati”, thuhet në raport.


Shtuar 5.08.2023 09:36