Laert Haxhiu, i shpallur në kërkim për vrasjen e dyfishtë të ndodhur në vitin 2017 në Lushnjë, u arrestua këtë të martë në Janinë, Greqi.
Haxhiu mbante dokumente të falsifikuara në shtetin fqinj. Ai do të ekstradohet drejt vendit tonë.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, në vitin 2017, e ka dënuar këtë shtetas me 18 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Në masakrën e Lushnjës mbetën të vdekur, Jurgen Hoxha, Zamir Latifi dhe të plagosur rëndë Marjus Xhepexhiu dhe Bujar Turku.
Dy personat kryesorë në këtë atentat me 43 plumba automatiku, janë Orgest Bilbili, i arrestuar në Prill 2020 në Tiranë krejt rastësisht dhe shoku i tij Laert Haxhiu.
Sipas prokurorisë qëllimi i këtij atentati ka qënë ekzekutimi i nipit të Aldo Bares, Xhulio Shkurti, por ky i fundit ishte larguar nga lokali vetëm pak minuta më parë, duke shkuar për tu qethur ne berberi.
Haxhiu, Bilbili dhe Kaloshi u akuzuan se si autorë të masakrës së Lushnjes, ku vranë Zamir Latifin dhe Jurgen Hoxhën në 11 tetor 2017 në Lushnjë, por u shpëtoi shënjestra, Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares, kreu i bandës së Lushnjes. Në këtë atentat u plagosën Marjus Xhepexhiu dhe Bujar Turku. Veç akuzës së vrasjes në rrethana cilësuese të një ose më shumë personave, Bilbili akuzohet për “Kryerjen e veprave penale në kuadër të grupit kriminal”.
Anterio Kaloshi u arrestua në 13 gusht 2021, pasi bashkë me të tjerë qëlluan me kallashnikov drejt Hotel Volorekës në Pogradec në datë 8 gusht, ku Kaloshi kishte rolin e ekzekutorit, ndërkohë Orges Bilbili u kap në 10 prill në zonën e Xhamllikut në Tiranë, i cili u plagos nga polici pasi tentoi të largohej.
Njoftimi i policisë
Finalizohet një tjetër operacion ndërkombëtar për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Operacioni policor i koduar “Eksponenti”, për kapjen e një shtetasi të shumëkërkuar ndërkombëtarisht për krime kundër personit.
Falë sigurimit të informacionit nga Policia e Shtetit dhe shkëmbimit në kohë të këtij informacioni me homologët grekë, kapet në Janinë, Greqi, dhe arrestohet me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë, një shtetas i dënuar me 18 vjet burgim.
Me leje qendrimi greke të falsifikuar, kapet dhe vihet në pranga i shumëkërkuari Laert Haxhiu. Në vijim të punës kërkimore të kryer në bashkëpunim me partnerët, për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, falë informacioneve të siguruara nga strukturat e Policisë së Shtetit dhe shkëmbimit të informacionit në kohë reale ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Athinës, është finalizuar operacioni policor i koduar “Eksponenti”.
Në kuadër të këtij operacioni, në Janinë, nga Policia greke është bërë e mundur kapja dhe arrestimi me qëllim ekstradimin e shtetasit shqiptar shumë të kërkuar Laert Haxhiu, 31 vjeç, lindur në Lushnjë. Ky shtetas u kap me leje qendrimi greke të falsifikuar, me emrin M. A., 32 vjeç.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, në vitin 2017, e ka dënuar këtë shtetas me 18 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me Interpol Athinën, me qëllim kryerjen e procedurave për ekstradimin e këtij shtetasi, drejt vendit tonë.
Policia e Shtetit vijon bashkëpunimin e ngushtë me partnerët, për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar për vepra penale në fusha të ndryshme, si dhe për të shkëmbyer informacion në kohë reale në lidhje me veprimtaritë kriminale ndërkufitare, me qëllim identifikimin dhe kapjen e personave apo grupeve kriminale që ushtrojnë këto veprimtari.
/albeu.com/