Nga data 1 korrik 2025, ditën e nesërme, hyn në zbatim marrëveshja dypalëshe mes Shqipërisë dhe Italisë në fushën e sigurimeve shoqërore. Mësohet se Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH) ka hartuar dhe publikuar udhëzuesin teknik të zbatimit të marrëveshjes, një dokument i detajuar që përcakton qartë procedurat, kriteret e përfitimit dhe dokumentacionin përkatës për aplikim.
Marrëveshja u firmos më 6 shkurt nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani dhe homologu Italian, Antonio Tajani. Kjo marrëveshje, parashikon trajtim të barabartë për shqiptarët në Itali dhe italianët në Shqipëri, duke u mundësuar atyre përfitime nga pensionet, sigurimi i papunësisë, përfitimet për sëmundje dhe shtatzëni. Pakti do të zbatohet sipas një marrëveshjeje administrative specifike.
Koordinimi i sigurimeve garanton që personat të cilët kanë punuar në të dyja shtetet mund të bashkojnë periudhat e sigurimeve për të marrë pensione. Marrëveshja është një hap i madh në sigurimin e të drejtave sociale të shqiptarëve që jetojnë dhe kontribuojnë në Itali, si dhe të italianëve në Shqipëri.