Presidenti i organizatës “Rrënjët Shqiptare në Amerikë” (Albanian Roots), Marko Kepi, është shprehur se pati përpjekje nga disa individë për të ndalur dhe për të kërkuar anulimin e Paradës Shqiptare në Nju Jork, e cila këtë vit iu dedikua shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut.
Në një intervistë për Euronews Albania, ai tha se thirrjet për bojkot, si edhe protestat e zhvilluara nga disa persona që sipas tij nuk njihen në komunitet, nuk lidhen me kauzat e shqiptarëve në Shqipëri, por japin një pamje të përçarë të diasporës.
Të lidhura
None found
Kepi deklaroi se protestat e mbajtura në New York dhe organizatorët e tyre nuk kanë asnjë lidhje me protestën që po zhvillohet në Shqipëri, as në mesazhe dhe as në formën e organizimit. Sipas tij, në Shqipëri qytetarët janë ngritur për të kundërshtuar arsyet që, siç u shpreh ai duke përfshirë edhe veten, i kanë detyruar shqiptarët të largohen gjatë 35 viteve të fundit, pasi sistemi politik nuk u ka dhënë të ardhme dhe ka sjellë vetëm trazira. Ai shtoi se politika në vend ka qenë gjithmonë rrëmujë dhe se shqiptarët nuk merren më me atë politikë.
Sipas tij, protestuesit në New York, në vend që t’u bashkoheshin atyre në Shqipëri, në fakt po ua vështirësojnë situatën. Ai argumentoi se pjesëmarrja e ulët, me rreth 20 veta, nuk mund të konsiderohet protestë. Po ashtu, ai nënvizoi se ndërsa në Shqipëri protestuesit dalin me pankarta kundër regjimit, kundër sistemit, për ndryshim dhe për një Shqipëri më të mirë, në New York për tri javë me radhë janë mbajtur fjalime kundër Paradës Shqiptare dhe është kërkuar që të mos merret pjesë në të. Sipas Kepit, në këtë mënyrë po goditej vetë parada shqiptare.
Ai theksoi gjithashtu se organizatat që veprojnë prej dekadash në SHBA nuk mund t’u bashkohen nismave individuale, kur ato, sipas tij, kthehen në sulme personale dhe në përpjekje për të dëmtuar aktivitete kulturore kombëtare.
Kepi u shpreh se gjatë këtyre protestave janë bërë edhe sulme verbale ndaj tij personalisht, gjë që, sipas tij, nuk është e drejtë dhe vetëm sa e paraqet komunitetin si të përçarë. Ai tha se, sipas mendimit të tij, kjo ka ndodhur sepse dy nga organizatorët kryesorë nuk i përkasin diasporës. Njëri prej tyre, tha ai, nuk është as nga New Yorku, por vjen nga Filadelfia për të protestuar në New York, ndonëse edhe në Filadelfia ka shumë shqiptarë dhe ai mund t’i zhvillonte protestat atje.
Sipas Kepit, vetë organizatorët kanë pranuar se në protestë nuk iu bashkua asnjë organizatë. Ai tha se arsyeja për këtë është fakti se bëhet fjalë për dy individë të panjohur për komunitetin. Për këtë arsye, shtoi ai, shoqata që kanë 30 apo 50 vite aktivitet nuk mund t’i bashkohen një personi të panjohur, për të cilin nuk dihet qëllimi, sidomos kur ai del me mesazhe kundër shoqatave dhe kundër individëve që jetojnë atje, por që nuk kanë lidhje me qeverinë shqiptare apo me politikën shqiptare.
Në fund, Marko Kepi shprehu mbështetjen e tij për kërkesat e qytetarëve shqiptarë, duke theksuar se do të jetë gjithmonë në anën e interesit publik dhe të së mirës së Shqipërisë.
Ai u shpreh se si individ do të jetë gjithmonë në krah të popullit shqiptar për ato që kërkon populli shqiptar, për të mirën e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Gjithashtu, ai tha se edhe në rrjetet e tij sociale e ka shprehur prej kohësh këtë qëndrim, edhe në anglisht, me thirrjen “let freedom ring”, duke shtuar: le të ketë drejtësi.
