Maqedonia përgatit tatim shtesë për kompanitë që kanë realizuar fitime të mëdha

Qeveria e  Maqedonise ka vendosur tatim solidariteti ndaj kompanive që kanë përfituar jashtëzakonisht shumë nga krizat në dy-tre viteve të fundit. Nëse shteti konstaton se një kompani vitin e kaluar ka pasur fitim shumë më të lartë në krahasim me vitet e mëparshme, fitimi do të tatohet shtesë. Të gjitha kompanitë do të jenë nën vëzhgim, pavarësisht se nga cilët sektorë vijnë. Paratë që do t’i grumbullojë shteti do t’i kthehen ekonomisë përmes masave dhe programeve të reja për zhvillimin e ekonomisë, bëjnë të ditur Qeveria.

“Nëse eventualisht ka rritje të të ardhurave vitin e fundit, sigurisht që do të paguajnë tatim shtesë që quhet tatim solidariteti”, u shpreh Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.

Për momentin nuk dihet se sa do të tatohen fitimet shtesë të kompanive, por Bekteshi thotë se këtë informacion do ta japë në ditët në vijim kolegu i tij nga financat, Fatmir Besimi. Nga Lidhja e Odave Ekonomike për Alsat thonë se para se të vendosen tatime të reja për kompanitë që tashmë paguajnë, duhet gjetur mënyra për ata që nuk paguajnë të futen në sistem. Nuk jemi dakord me parimin që ata që paguajnë të paguajnë më shumë, ndërsa ata që nuk paguajnë të vazhdojnë të mos paguajnë.

“Rritja e tatimit dhe situatat e krizës janë faktorë të rëndësishëm që kontribuojnë në rritjen e ekonomisë gri, gjë që krijon dyshime nëse zgjidhja për vendosjen e tatimit të ri do të arrijë objektivin e vendosur nga politikëbërësit”, thonë nga Lidhja e Odave Ekonomike.

Ky ligj ka për qëllim të tregojë se cilat kompani kanë përfituar nga shpina e qytetarëve në kulmin e pandemisë, krizës energjetike dhe inflacionit. Kompanitë në sektorin e ushqimit tash e dy muaj përdorin rrymën e subvencionuar, por për këtë kishin për detyrë të ulin çmimet e produkteve të tyre për të paktën 10 për qind. Vetëm një pjesë e produkteve shiten me çmim më të ulët, ndërsa një pjesë e madhe e ushqimeve jo vetëm që nuk janë më të lira, por qytetarët ankohen se shiten me çmim më të lartë se para dhjetorit të kaluar, kur filloi masa për energji elektrike më të lirë për industrinë ushqimore./Alsat.mk


Shtuar 2.02.2023 19:42