BDI dhe LSDM të kënaqura nga procesi i regjistrimit të popullsisë në Maqedoni! Opozita me rezerva

Kryeministri Dimitar Kovaçevski ka përgëzuar Entin Shtetëror të Statistikave për realizimin e procesit të regjistrimit. Siguron se i gjithë procesi është në përputhje me të gjitha standardet evropiane. Nga ana tjetër, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, ka shkruar se regjistrimi ka qenë proces me sfida dhe aspak i lehtë, por që institucionet ia dolën që ta përfundojnë me sukses. Nga LSDM procesin e quajtën të suksesshëm, duke thënë se kur 99% e popullsisë janë regjistruar kjo paraqet sukses që as shtetet evropiane nuk e kanë arritur.

“Mund të them se jemi të kënaqur sepse regjistrimi u realizua me sukses pas 20 vjetësh, për herë të parë regjistrim i kombinuar që u realizua në pandemi me të gjitha protokollet mbrojtëse dhe shumë i suksesshëm”, tha Snezhana Kalevska – Vançeva nga LSDM.

Opozita hedh dyshime mbi besueshmërinë e rezultateve. Aleanca për Shqiptarët thotë se nuk mund të vlerësohet si i besueshëm regjistrimi ku rreth 8% e popullsisë së përgjithshme dhe asaj rezidente nuk i dihet përkatësia kombëtare.

“Që në shikim të parë ne shprehim rezervat tona veçanërisht në dy segmente. 132 mijë qytetarë janë të imputuar dhe të paregjistruar në terren, ndërsa vlerësojmë se numri i prej 260 mijë qytetarë që jetojnë jashtë vendit nuk përkojnë me realitetin dhe me të dhënat e publikuara nga organizatat ndërkombëtare”, vlerëson Halil Snopçe nga ASh.

Shifrat e regjistrimit janë tregues i dështimit sepse ka një valë të fortë migrimi thonë nga VMRO-DPMNE, duke shtuar se operacioni është me një sërë vërejtjesh.

“Regjistrimi do të ishte më i kompletuar nëse Enti i statistikave do të arrinte që secilin që nuk është deklaruar mbi bazë nacionale, religjioni dhe gjuhës amë ta regjistrojë dhe ta definojë përmes të dhënave administrative të cilat i ka shteti për çdo person”, tha Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE.

Rezultatet janë të pavlefshme edhe për partinë “E majta”. Thonë se ky është një operacion statistikor i padobishëm, sepse e udhëhoqi BDI-ja ndërsa më pas e miratoi LSDM-ja dhe qëllimi ishte vetëm që shqiptarët të dalin më shumë.

“Pamë se si Grubi, Osmani dhe Bekteshi ministra të qeverisë së Republikës së Maqedonisë me shpenzime të shtetit kanë lobuar që të regjistrohet vetëm një komunitet etnik të regjistrohet nga diaspora”, tha Borisllav Kërmov nga “E majta”./TV 21/