Manja i firmosi ekstradimin drejt Italisë, reagon “Zoti i drogës”: Turp i drejtësisë shqiptare

Pasi ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja firmosi lejen për ekstradimin e Alket Hatijës drejt Italisë, ku është dënuar me 20 vite burg për drogë, vjen reagimi i këtij të fundit nga arratia.

Ai i është drejtuar me një e-mail ministrit të drejtësisë ku i kërkon sqarim pse ka vuajtur 16 vite burg në Shqipëri, ndërkohë që vendimet e gjyqtarëve shqiptarë nuk njihen në Itali.

Sipas “Zotit të drogës” ky është një turp i drejtësisë shqiptare, ndërsa ai vetë ka qenë kurbani.

“Jam dënuar për një çështje që bën marrëveshje Itali-Shqipëri, që ka ndodhur në vitin 2003-2004 dhe drejtësia shqiptare më dënoi me 16 vjet për këtë çështje, që vuajta me vendim gjykate. Tani më thoni nuk të kemi dënuar mirë, do të të dënojë Italia për këtë çështje. Ky është një turp i drejtësisë shqiptare. Vetëm një gjë dua të di; pse drejtësia shqiptare më mbajti 16 vjet në burg për këtë çështje kur vendimet e gjykatësve shqiptarë nuk njihen nga drejtësia italiane? Pse nuk më ekstradoi në Itali në vitin 2008 kur më arrestoi për këtë çështje? Të lutem, jam mbajt peng 16 vjet nga drejtësia shqiptare për këtë çështje. Nuk i kam borxh as drejtësisë shqiptare dhe as drejtësisë italiane. Jam dënuar sipas marrëveshjes së dy drejtësive, është çmenduri”, thuhet në reagimin e Hatijës./albeu.com


Shtuar 22.11.2021 11:07