Mandatimi i qeverisë/ Kryeministri Rama pritet të shkojë në Presidencë

Nga momenti në moment, kryeministri i vendit Edi Rama, pritet të mbërrijë në Presidencë, ku do të kërkojë nga presidenti Bajram Begaj mandatimin e qeverisë së re.

Kjo u konfirmua përmes një komunikate për mediat nga Presidenca, ku thuhet se: Në mesditë Presidenti i Republikës SH.T.Z. Bajram Begaj, do të presë në Institucionin e Presidentit Kryetarin e Partisë Socialiste Zotin Edi Rama, për ta mandatuar për formimin e qeverisë së re.

Sipas procedurave, sekretari i Përgjithshëm i PS-së dërgon emrin e kryeministrit, në këtë rast Edi Rama, ndonëse është thjesht procedurë pasi është një qeveri e konfirmuar me 83 mandate.

Më pas, është kryeministri Rama që paraqet emrat e kabinetit të ri në Presidencë, pasi ky i fundit merr kërkesën, ka 6 ditë kohë për të bërë dekretimin. Në përfundim bëhet betimi i të gjithë kabinetit të ri qeveritar.

Pak më herët, në Kuvend u mbajt seanca e parë e kësaj legjislature ku u miratua komisioni i përkohshëm për verifikimin e mandative, i cili u ngrit vetëm me votat e mazhorancës.

Pas ngritjes së komisionit, drejtuesi i seancës Vasil Llajo bëri me dije se do të verifikohen mandatet dhe seanca e ardhshme do të zhvillohet në orën 17:00.


Shtuar 12.09.2025 11:53