Mandati i Xhaçkës/ Bardhi u drejtohet socialistëve: Konsumuat vepër penale duke mos zbatuar vendimin e GJK

Anëtarja e Këshillit të Legjislacionit, deputete e PS-së Klotilda Bushka, shprehu dakordësinë e saj lidhur me draft-raportin e paraqitur nga opozita, lidhur me mandatin e deputetes Olta Xhaçka, me përjashtim të propozimit për paraqitjen e një raporti.

Bushka tha se është plotësisht dakord që në seancën e parë të Kuvendit të Shqipërisë, Kryetarja e Kuvendi duhet të përfshijë në seancë “Për dërgimin në

Gjykatën Kushtetuese të mocionit të jo më pak se 1/10 së deputetëve për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetes znj. Olta Xhacka”.

Por Bushka tha se nuk ka pse të kemi një raport, por të veprohet në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Bushka tha se vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohen.

Deputeti demokrat Gazment Bardhi, në një replikë me deputeten Bushka, tha se çështja nuk është aq e thjeshtë saç mundohet ta paraqesë ligjvënësja socialiste.

Bardhi tha se deputetët e PS injoruan Kushtetutën dhe vendosën të mos zbatojnë vendimin e Kushtetutës.

“Dhatë mesazhin më të gabuar, sepse vutë në diskutim zbatimin e vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Ju dhatë mesazhin se nuk zbatoni vendime të drejtësisë nëse bien ndesh me interesat tuaja. Duhet të kishte një veprim nga drejtësia në këtë rast, pasi pengimi për të zbatuar një vendim gjyqësor është krim”, tha Bardhi.

Duke iu drejtuar deputetëve të PS-së, Bardhi tha se tashmë Kuvendi është i detyruar edhe në dispozitivin e Gjykatës Kushtetuese, që të detyrojë Parlamentin të sjellë mocionin që të ushtrojë detyrimet kushtetuese.

“Nuk ka ndodhur asnjëherë kjo gjë, kemi një dispozitiv të Gjykatës Kushtetuese, pasi ju nuk pranoni të zbatoni vendimin. Për mbi dy vjet mbrojtët Olta Xhaçkën, shpërfillët vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, shprehet Bardhi.


Shtuar 27.08.2024 12:18