Manastirliu sqaron pse nuk lejohet muzika live gjatë natës

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastiliu ka sqaruar se pse nuk lejohet muzika live gjatë orëve të natës. Ajo tha se nuk lejohet për shkak të përhapjes së Covid-19, dhe kujtoi rritjen e infektimeve të ndodhura një vit më parë.

Manastirliu tha se gjatë verës,  duhet të mendojmë për dimrin dhe vjeshtën pasi pritet të ketë sërish një valë tjetër virusi.

“Para një vit e dimë shumë mirë çfarë rritje infektimesh pati, pikërisht për arsye të muzikës pas orës 00:00, që në fakt u bë një mësim për gjithë botën. Nuk duhet ta bëjmë më atë gabim. Ne kemi ndjekur vendimet e Komitetit të Ekspertëve. Kemi marrë masa shumë të kujdesshme, duke ndjekur në dinamikë situatën. Sot kemi masa të reja në fuqi, është shtyrë orari me një orë, muzika ka mbetur në orën 22:00, pasi kështu e ka vlerësuar Komiteti për të shmangur grumbullimet e orëve të vona, kënaqësinë e të ndenjurit bashkë. Ne duhet të përgatitemi më shumë për dimrin apo për vjeshtën, sepse do të fillojnë shkollat. Duam që shkollat të jenë fizikisht, po ashtu edhe studentët. Nuk mund të kemi më luksin të shkojmë në lock-doën. Çdo mangësi e sotme është një masë që vlen për një të nesërme të afërt. Ato mësime që kemi mësuar është mirë t’i vëmë në jetë, sepse na ndihmojnë nesër të kemi një menaxhim shumë të mirë të pandemisë, por edhe të jetojmë më mirë se vjet. Duke u vaksinuar, duke shmangur grumbullimet, duke qenë të rinjtë të kujdesshëm, do na lejojë neve të kemi një situatë të kontrolluar”, tha Manastirliu.

Shtuar 1.07.2021 22:30